Rendi dhe siguria është sot, krahas gjendjes ekonomike dhe varfërisë, çështja kryesore që shqetëson shoqërinë shqiptare. Kështu ka thënë deputeti i PD-së, Arben Ristani, sot më 25 Janar 2014, në analizën e situatës së sigurisë publike për muajin Janar.
TABLOJA SIPAS RISTANIT
"Krahasimi me gjendjen në Irak dhe Siri, për fat të keq ka filluar të përmendet në media dita- ditës dhe jo pa të drejtë", tha Ristani, duke bërë një tablo të aksidenteve, vrasjeve dhe krimit të këtij muaji.
Kështu sipas tij, vetëm këto ditë të Janarit kanë ndodhur: 12 vrasje, 153 aksidente, 16 me pasojë vdekje, 14 persona të tjerë në gjendje të rëndë, 18 raste ku krimi ka goditur me eksploziv. Sipas tij, "Drogë pa fund kapet nga policitë e vendeve fqinje".
"Në fillim të kësaj jave në Greqi, u kap mbi 1 tonë drogë shqiptare". Ai përmendi edhe "grabitjet me maska në qendra qytetesh dhe në mes të ditës, vjedhje të banesave në mënyrë masive po ndodhin kudo".
"Vetëm dje ndërroi jetë një biznesmen në Durrës, i sulmuar barbarisht në mes të qytetit me eksploziv, ndërkohë që kryetari i komunës Qendër në Vlorë vazhdon të luftojë me jetën, pas sulmit me tritol që iu bë 5 ditë më parë.
Përkundrejt kësaj situate Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm vendosin arrogancën dhe butaforinë televizive, mashtrimin dhe cinizmin pa kufi, herë pas here edhe budallallëkun e skajshëm për të gjetur shpëtim për paaftësinë e tyre", komentoi Ristani.
"Disa justifikime të fundit do të kenë vend midis aforizmave të mençurisë botërore,
si përshembull lëvizja e lirë e shqiptarëve pa viza është shkaku i trafikimit të grave,
apo shitja e kartave telefonike pa procedurë është shkaku i përdorimit masiv të tritolit në vrasjet mafioze. Daljet e përditshme televizive për të paraqitur gjendjen e rendit dhe sigurisë si "normale" janë bashkëpunim i paskrupullt me krimin. Ndërkohë që qytetarët kërkojnë zgjidhje për ta rikthyer vërtet Shqipërinë në një vend normal".
"OPOZITA NUK TREMBET NGA RIKTHIMI I POLICISË SË SHTETIT"
Ai tha edhe se, "Opozita nuk është ajo që trembet nga gjoja rikthimi i policisë së shtetit në krye të detyrës, por opozita është ajo që sot do të denoncojë me konsekuencë dhe vendosmëri njehsimin e qeverisë me krimin dhe do të jetë zëri i revoltës popullore për vendosjen e rendit dhe sigurisë në vend".