A1 Report - Fondacioni "Bertelsmann": Shqipëria hapa prapa

2015-08-21 0

Një studim i Fondacionit gjerman "Bertelsmann" flet për një tendencë regresi dhe kthimi pas, në shumë vende të Europës Lindore dhe Juglindore. Sipas studimit, me përjashtim të Shqipërisë, në vitin 2008, ndarja e pushteteve konsiderohej si e vënë plotësisht në jetë, në të gjithë Europën Lindore dhe Juglindore. Por sot, në 2014-n kjo nuk mund të thuhet më për 6 nga 18 vendet e rajonit: për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi, Rumaninë dhe Hungarinë.
Autorët e studimit shkruajnë se rrugëtimi i Shqipërisë për në demokraci dhe ekonominë e tregut, ka qenë shpesh kaotik dhe i paqartë. Studimi, shpjegon, pse Shqipëria është klasifikuar pas vendeve fqinjë, për përparimin demokratik dhe ekonomik - megjithëse vendet fqinjë kanë përjetuar madje edhe konflikte të dhunshme etnike. Si kritike për Shqipërinë, autorët përmendin faktin që Partia Demokratike zuri poste të rëndësishme publike, siç janë Presidenti i Republikës, shefi i shërbimit të fshehtë, Prokurori i Përgjithshëm dhe të tjera institucione. Kjo parti në pushtet, e arriti përmes një numërimi të diskutueshëm votash, të zgjedhë si kryetar bashkie të Tiranës, kandidatin e saj, në maj 2011, veçohet në studim. Pra studimi tërheq vëmendjen në erozionin e ndarjes së pushteteve në Shqipëri.
Në aspektin ekonomik, studimi thotë se arritja më e rëndësishme e Shqipërisë vitet e fundit, rritja e produktit të brendshëm bruto, GDP, ka rënë pikiatë, duke arritur një rritje 0.6% në 2012-n. Ekonomia e Shqipërisë është shumë e ndikuar nga goditjet e shokut, që i vijnë nga jashtë. Kjo sepse varet nga remitancat e emigrantëve, që kanë rënë kudo në Ballkan, si dhe nga kapitali në formën e investimeve direkte të huaja. Autorët propozojnë hartimin e politikave të punësimit për emigrantët që kthehen nga Perëndimi, si dhe zgjidhjen e problemit të vjetër të pronësisë mbi tokën.