A1 Report - Gati projektligji i ri per barnat Beqaj: Ja si do t'i kontrollojme

2015-08-21 2

TIRANE- Gjurmimi i çdo medikamenti, që nga prodhimi e deri tek pacienti tashmë do të jetë më e lehtë. Kjo falë draftit të ri të barnave, që ministria e Shëndetësisë ka diskutuar gjatë ditës së sotme me grupet e interesit.

Drafti i ri për barnat, shërbimin farmaceutik dhe pajisjet mjekësore është prezantuar përpara përfaqësuesve të shërbimit farmaceutik në vend dhe palët e interesuara, nga ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.

"Ky projektligj, na krijon mundësinë për të krijuar një sistem gjurmimi të plotë të barnave në Shqipëri. Pra, bëhet fjalë për sistemin"track and trace". Në ligjin bazë të barnave, do të kemi një mënyrë të përcaktuar qartë të gjurmimit të barit. Ky sistem, së bashku me projekte të tjera që kemi me Fondin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për të arritur deri te receta elektronike, do të krijojnë lehtësi dhe siguri në qarkullimin e barnave në Shqipëri", është shprehur ministri Beqaj.


Në takimin që zgjati për rreth 2 orë, ministri Beqaj ka shpjeguar se fillimisht u mendua që të bëheshin vetëm disa amendime në ligjin ekzistues të barnave, por kur vumë re se praktikisht prekeshin 2/3 e pikave të ligjit, u vendos të paraqetej një ligj të ri.

"Para hartimit të këtij drafti, ju kemi bërë një kërkesë për të paraqitur propozimet tuaja, por për fat të keq nuk kemi patur propozime. Megjithatë, ne do j'ua shpërndajmë versionin që kemi të projektligjit që propozojmë dhe presim sugjerimet tuaja deri më datë 5 shkurt 2014. Më pas, projektligji do të vijojë me rrugën zyrtare, do të dërgohet për mendim në ministritë e linjës, më pas në Këshillin e Ministrave dhe më tej do të vijojnë diskutimet parlamentare në komisione, për t'u miratuar në Parlament. Takime të tilla do të vijojnë, pasi ka shumë akte nënligjore, për të cilat duhet të biem dakort për afatet e hyrjes në fuqi të tyre", ka përfunduar ministri i shëndetësisë, Ilir Beqaj

Në mbylljet të takimit, Ministri i Shëndetësisë, Beqaj, u shpreh i hapur për të vendosur një kalendar takimesh me grupet e interest, për të diskutuar për çështjet e tregut farmaceutik në Shqipëri.