A1 Report - Ahmetaj: Regjistrimi i bizneseve do behet online dhe brenda 8 oreve

2015-08-21 0

TIRANË - Regjistrimi i bizneseve do të kryhet në mënyrë elektronike, pa u paraqitur në zyrat e QKR-së, por vetëm duke klikuar në faqen e saj në rrjet. Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj ka deklaruar sot se, regjistrimi do të përfundojë brenda 8 orësh.

Projektin e ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj. Duke biseduar me sipërmarrës në sportelet e QKR-së, ministri Ahmetaj tha sot se, shërbimet online do të ofrohen edhe në gjuhën angleze për investitorët e huaj.

Ndërkohë që aktualisht procesi i regjistrimit është fizik dhe kërkon rreth 24 orë, me praktikën e premtuar pritet që procesi të reduktohet në vetëm 8 orë. Kjo nismë, e cila vjen në ndihmë të përmirësimit të klimës së biznesit dhe pritet të jetë funksionale në 6-mujorin e dytë të vitit, do të ulë ndjeshëm praktikat burokratike ndaj sipërmarrjes private.

Ministria e zhvillimit ekonomik ka përgatitur edhe një draft për reduktimin e kohës së çregjistrimit të një biznesi në 2 muaj. Procedura e tejzgjatur e cila vjen kryesisht si pasojë e falimentit është bërë shpesh herë objekt diskutimi nga ana e sipërmarrjes private, megjithatë, më parë duhen realizuar ndryshimet në ligjin për funksionimin e shoqërive tregtare.