A1 Report - Sindikatat e arsimit, sherr te ministria per kontraten e mesuesve

2015-08-21 3

TIRANE- Konfederata dhe sindikatat e arsimit janë përplasur me njëra-tjetrën për shkak të kontratës kolektive të nënshkruar me ministrinë e Arsimit.

Ndonëse ishin thirrur për të diskutuar për problemet e arsimit, ministrja Lindita Nikolli është detyruar që të zhvillojë dy takime të ndara, pasi përfaqësuesit e sindikatave që duhet të mbrojnë interesat e punonjësve, nuk kanë pranuar të ulen në të njëjtën tavolinë për të diskutuar.

Shkaku është kontrata kolektive e nënshkruar e mwsuesve tre vite më parë nga kreu i federatës së sindikatës së arsimit, Xhaferr Dobrushi.

Për shkak të përplasjeve të forta që kanë me Kol Nikollën, kreun e konfederatës së Arsimit, Dobrushi nuk ka pranuar të ulet në një tavolinë me të, së bashku me ministren e Arsimit e të diskutojnë për arsimin.

Edhe pas ndërhyrjes së ministres Lindita Nikolli, sindikatata nuk kanë pranuar të jenë së bashku në këtë tavolinë diskutime. Në këtë situatë ministrja ka zhvilluar dy takime me dyer të mbyllura, veç me konfederatën e sindikatave dhe veç me federatën e arsimit.

Kreu i konfederatës së sindikatave, Kol Nikollaj, ka akuzuar Dobrushin e sindikatës së arsimit, se është bërë palë me ish-qeverinë Berisha dhe se nuk mbron interesat e punonjësve.

"Ne nuk kemi qenë nënshkrues të një kontrate formale kolektive të nënshkruar prej 4 vitesh e cila mbaron këtë vit. Duke mos qenë nënshkrues të asaj kontrate që është nënshkruar atëherë, detyrimisht pala klientele e ish-qeverisë së kaluar, z.Dobrusha dhe z.Kruja pretenduan që nuk duhet të jetë konfederata në këtë takim sepse ata kanë sekrete me të gjitha qeveritë", tha Kol Nikollaj.

Sipas tij ka pasur shumë ankesa edhe për mënyrën se si po bëhen emërimet e mësuesve, duke e konsideruar konkursin vetëm një propagandë.

"Ka një lum ankesash përsa i përket problemit të emërimit të mësuesve dhe veçanërisht përsa i përket problemit të klasifikimit të tyre, përsa i përket vjetërsisë së profesionit. Sipas ankesave, nuk duhet që mësuesi t'i nënshtrohet një konkursi përsa i përket problemit. Në qoftë se është një vend vakant, drejtori i Drejtorisë Rajonale apo kushdo qoftë pa konkurs sepse mësuesi ka marrë liçencën për mësues.

Nuk ka çfarë konkursi të bëjë tjetër. Kjo është për të nxjerrë qimen nga qulli sepse të bësh konkurse për një mësues i cili ka 20 apo 30 vjet punë, ka marrë liçencën e arsimtarit, ka dhe shkollën është thjesht propagand", u shpreh kreu i Konfederatës së Sindikatave.

Federata e arsimit, e cila edhe kishte kërkuar këtë takim me ministren e Arsimit, i kanë paraqitur asaj një sërë problemesh dhe i kanë kërkuar respektimim të kontratës kolektive të mësuesve.