A1 Report - Korçe, jeta ne kasolle e Majlindes ne karroce me rrota dhe familjes se saj

2015-08-21 5

KORCË - Të jetosh në një kasolle ku varfëria dhe kushtet ekstreme të jetesës kanë arritur kulmin nuk është e vetmja padrejtësi e jetës ndaj familjes Tomorri në qytetin e Korçës.
Një grua e cila prej 12 vitesh jeton në një karrocë me rrota , një bashkëshort i cili në gjendje jo të mirë shëndetësore sakrifikon për të siguruar të ardhura për familjen e tij, një vajzë e cila shkon në shkollë njëkohësisht duhet të kujdeset dhe për nënën e saj.

Kjo është historia tronditëse e familjes Tomorri ku e vetmja e ardhur është kempi i gruas së sëmurë dhe disa të holla të Dhionisit , kryefamiljari i cili i siguron duke çarë dru në qytet. Kamera e A1 Report ka shkuar në kasollen e tre pjestarëve të familjes Tomorri dhe ka parë nga afër gjëndjen aspak njerëzore ku ata jetojnë.

Majlinda, 40 vjeçarja e cila ka mbetur e paralizuar pas ardhjes në jetë të vajzës së saj tregon me dhimbje se sa e vështirë është jeta e saj në kasollen ku ajo jeton , ku çdo gjë që bie jashte futet brenda.
Me një zë të ngjirur dhe një frymëmarrje të lodhur ajo bën apel për ndihmë duke kërkuar që dikush ta ndihmojë duke e strehuar diku.

"Kam 12 vjet që vuaj nga kjo sëmundje, që me lindjen e vajzës. Nuk bëj dot asgjë. Edhe në këtë ambjent nuk jetoj dot, çfarë bie jashtë bie brenda. Unë dua vetëm ajër, nuk marr do ajër. Dëbora më vjen deri këtu. Unë jam me një sëmundje që dua vetëm ajër", është apeli i Majlindës për ndihmë.

Situata bëhet edhe më e dhimbshme kur kryefamiljari Dhionisi tregon me lot në sy se cdo mëngjes del në qytet për të punuar ndërsa kujdeset edhe për bashkëshorten e tij .

"Në këto kushte që jemi, jemi në një gjendje shumë të mjeruar. Të paktën një dhomë...As ka një shtet këtu të na ndihmojë në këtë gjendje të mjeruar që jemi", shprehet me lot në sy burri i Majlindës.

Pas rrëfimit të historisë së dhimbshme largohemi me shtrëngimin e dorës së Majlindës sikur do të thotë "Mos më lër të qëndroj në këtë kasolle sepse më merret fryma".