A1 Report - Vlore, perplasen tre mjete te burgjeve, 12 police te plagosur

2015-08-21 1

VLORË - Dy furgonë të Policisë së Burgjeve dhe një fuoristradë policie, janë përplasur me njëri-tjetrin në Vlorë. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë lokale.

Sipas tyre, në këtë aksident kanë mbetur të plagosur 12 efektivë të policisë së burgjeve, ndërsa disa prej tyre janë në gjendje të rëndë.

Gazetari i A1 Report dhe Shqiptarja.com, Armand Xhelili raporton nga vendi i ngjarjes në Novoselë se, makinat e Policisë së Burgjeve, ishin duke udhëtuar në rrugën nga Fieri në drejtim të Vlorës kur janë përplasur me njëra-tjetrën.

Efektivët e plagosur ishin nisur nga Tirana dhe po shkonin për inspektim në burgun e Vlorës.

Shkak për aksidentin mendohet të jetë një manovrim i gabuar i makinës që ishte në krye të kolonës, duke sjellë edhe përplasjen.

Disa prej tyre janë dërguar në spitalin e Vlorës, 5 ndodhen në sallën e reanimacionit, ndërsa të tjerët kanë marrë plagë të rënda.

Dy prej efektivëve kanë marrë dëmtime më të rënda, kanë disa fraktura në kokë dhe janë duke u bërë gati që të sillen në drejtim të Tiranës, për në spitalin e Traumës ku do të marrin edhe ndihmë më të specializuar mjekësore.