BRUKSEL - Borxhi i qeverive të Eurozonës ka shënuar rënie gjatë 3-mujorit të tretë të vitit të kaluar, për herë të parë në gjashtë vitet e fundit. Sipas analistëve, kjo është një shenjë tjetër se blloku po del nga kriza, pavarësisht se niveli i borxhit gjendet shumë më lart se kufiri i vendosur nga Bashkimi Europian.
Borxhi sovran në raport me prodhimin kombëtar, ra në tre ekonomitë më të mëdha të Eurozonës, Gjermania, Franca dhe Italia, por gjithashtu edhe në Portugali, një ndër pesë vendet që aplikoi për ndihmë nga ndërkombëtarët për të shpëtuar financiat e saj. Në të gjithë Eurozonën borxhi ra lehtë, në 8 trilionë e 842 miliardë euro, deklaroi "Eurostat", nga 8 trilionë e 875 miliardë euro që ishte në 3-mujorin e dytë të vitit të kaluar.
Në terma realë, borxhi total në bllokun që përdor monedhën e përbashkët ra në 92.7% nga 93.4% që ishte në periudhën Prill-Qershor. Në terma absolutë, kjo ishte rënia e parë që nga 3-mujori i katërt i vitit 2007. Komisioni Europian parashikon se përgjatë gjithë vitit 2014, borxhi do të rritet në 95.9% nga 95.5% që pritet të konfirmohet në 2013.
Borxhi i Gjermanisë, që është më i madhi në vlerë, në 2.12 trilionë euro, regjistroi rënien më të madhe në 78.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa në Francë ra në 92.7%. Borxhi i Italisë ra në 132.9%, por në Greqi, aty ku filloi kriza, niveli i borxhit u rrit deri në 171.8%, për shkak të dy paketave të ndihmës, që e shpëtuan vendin nga falimentimi.
Edhe në Spanjë borxhi u rrit në 93.4%, ndërsa në Portugali ra në 128.7% nga 131.3% që ishte në tremujorin e dytë të vitit të kaluar. Nivelet e borxhit në shumicën e vendeve të Eurozonës janë mbi limitin prej 60% të vendosur nga Bashkimi Europian. Vetën Estonia, Letonia, Luksemburgu dhe Sllovakia, e kanë borxhin poshtë këtij kufiri.