A1 Report - "Kromi i pergjakur", ne pranga "i forti" i Bulqizes, Destan Gjeta

2015-08-21 8

TIRANË - Arrestohet në Tiranë "i forti" i Bulqizës Destan Gjeta, pasi ishte i kërkuar për një vrasje dhe një plagosje të ndodhura në janar të vitit 2011. Burime nga Policia e Dibrës, kanë bërë të ditur se, gjatë ditës së sotme në Shkozë të Tiranës, në kuadër të operacionit policor të koduar "Krom i Përgjakur", është bërë kapja dhe arrestimi e Destan Gjeta-s, 34 vjeç.

I arrestuari, është vënë në pranga pasi, akuzohet se në datën 5 janar 2011, ka qëlluar dhe ka vrarë Fehmi Kurçanin, ndërsa i plagosur ka mbetur edhe një person tjetër.

Sipas policisë, kapja e këtij personi të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri të lartë, është realizuar nga Drejtoria e Policisë Dibër në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, gjatë një operacioni të mirëorganizuar.

Destan Gjeta, akuzohet për veprat penale "vrasje në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim" , "armëmbajtje pa leje" dhe "shkatërrim prone me dashje". Ai ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë "arrest me burg".

Ngjarja për të cilën akuzohet ky shtetas, ku për për pasojë është vrarë një person dhe janë plagosur dy të tjerë ka ndodhur më datë 05.01.2011 në qendër të qytetit Bulqizë, ku u vra Fehmi Kurçanin dhe ka patur për motiv konfliktet për shfrytëzimin e galerive të kromit në mënyrë të paligjshme.