A1 Report - Taksat e reja, ja si llogaritet paga neto nga data 1 janari, perfitimet

2015-08-21 11

Duke nisur nga shkurti, të punësuarit do të konstatojnë se do të marrin më shumë apo më pak para në dorë nga rrogat e tyre bruto. Kjo vjen, pasi, nga dita e parë e vitit 2014, kanë hyrë në fuqi një numër amendimesh në ligje, që kanë të bëjnë me të ardhurat e të punësuarve dhe pagat e janarit jepen në shkurt. Ndryshimet, në fakt, prekin, pozitivisht apo negativisht, 350 mijë shqiptarë. Numri total i personave që janë të regjistruar në Tatimet që marrin pagë nga një punëdhëns i caktuar, qoftë ky shtetëror apo privat, janë 350.085 vetë. Pjesa tjetër e atyre që punojnë janë punëdhënësit, ose ata që vetëpunësohen, apo fermerë në zonat rurale.

Për të njohur lexuesit me atë, se sa do të ndryshojë sasia e lekëve që do të marrin në dorë, kemi përgatitur një seri tabelash, ku janë të pasqyruara kategori të ndryshme të pagave në vend, që mund të shërbejnë si pika referimi për të gjithë të punësuarit, që kërkojnë të dinë se sa ju mbahet nga paga e tyre për detyrime të përcaktuara me ligj.
Dy janë ndryshimet, që prekin direkt këtë masë njerëzish. Ato kanë të bëjnë me skemën se si do të merret këtej e tutje nga shteti tatimi mbi të ardhurat personale - apo tatimi mbi pagën, siç quhet në gjuhën e përditshme -- dhe skemën për pagesën e kontributit të sigurimeve shëndetësore. Të dy këto ndryshime janë bërë në përputhje me logjikën e qeverisjes aktuale, që ata, të cilët marrin të ardhura më të larta nga puna e tyre, të paguajnë shumë më tepër se më parë nga të tjerët.