Janë çelur në Montreaux të Zvicrës, negociatat e Konferencës së Paqes "Gjeneva 2". Kjo Konferencë, organizohet për të nisur negociatat e Paqes për Sirinë dhe marrin pjesë përfaqësues nga 39 vende të botës.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban ki-Moon ka hapur Konferencën, duke u shprehur se kemi humbur jetë njerëzish dhe kohë të çmuar dhe se duhet të përballemi me sfida shumë të vështira, por pjesëmarrja e përfaqësuesve të 39 shteteve në këtë Konferencë, paraqet shpresë se gjërat mund të ndryshojnë.
Ban ki-Moon i ka kërkuar qeverisë së Damaskut dhe opozitës siriane që të tentojnë kalimin e sfidave, duke negociuar me besim të plotë.
Sekretari i shtetit amerikan John Kerry në fjalimin e tij u shpreh se Assad nuk duhet të jetë pjesë e qeverisë së tranzicionit në Siri dhe e cilësoi konferencën si një test për zgjidhjen e shumë fakteve në botë.
Gjithashtu, Kerry i ftoi pjesëmarrësit të bashkohen rreth një obiektivi të përbashkët, për ti dhënë fund vuajtjeve të popullit sirian. Ai akuzoi qeverinë siriane se ka transformuar një protestë paqësore në një katastrofë ndërkombëtare.
Ndërkohë nga ana e tij ministri i jashtëm sirian Ëalid al-Moallem është shprehur se askush jashtë Sirisë, nuk ka të drejtë të rrëzojë nga detyra Assad-in dhe ka akuzuar se opozitarët janë tradhëtarë dhe agjentë të Izraelit.
Më pas ka ndërhyrë Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Ban ki-Moon, i cili ka ndërprerë fjalimin e ministrit të jashtëm sirian, pasi ky i fundit gjatë fjalimit të tij, kishte tejkaluar limitin e 7 minutave të pranuara për çdo pjesëmarrës në Konferencë.
Pas kësaj, mes tyre lindi një debat ku Ban ki-Moon i kërkoi ministrit sirian që të respektonte marrëveshjet, ndërsa nga ana e tij ministri i jashtëm sirian Muallem, iu përgjigj se Siria i ka qëndruar gjithmonë besnike impenjimeve të saj.
Pas ministrit të jashtëm, lideri i opozitës siriane Ahmad al-Jarba ka deklaruar se obiektivi i vetëm i Gjeneva 2 është që të krijojë një qeveri tranzicioni.