A1 Report - 21 janari, Mahmutaj: Ja si me mashtruan mjeket për grafine

2015-08-21 2

TIRANE- Në 3-vjetorin e demonstratës së 21 janarit ku mbetën të vrarë 4 persona, gazetari Fatos Mahmutaj i cili u plagos ndërsa raportonte live ngjarjen tregon se si e mashtruan mjekët e spitalit të QSUT-së duke i dhënë grafinë e dikujt tjetër në përpjekje për të fshehur plagosjen e tij me armë. Duke folur në emisionin "Airport" në një lidhje me "Skype" nga Brukseli, Mahmutaj shpjegoi se si e kishte kuptuar vetëm pas mbërritjes në Belgjikë, se dora e tij kishte 3 kocka të thyera, ndërsa në Tiranë mjekët i kishin thënë se nuk kishte asnjë dëmtim.

Veç kësaj, Mahmutaj shton se kur shkoi të bënte ekspertizën mjekësore, ish-kreu i Mjekësisë Ligjore, tentoi ta manipulonte duke i thënë se nuk kishte aspak plagë plumbi dhe se e kishte qëlluar turrma e protestuesve.

Vetëm pak ditë më parë, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj kërkoi nisjen e procedimit dhe gjykimit pranë Komisionit Disiplinor të "Urdhrit të Mjekut" për dy ish-drejtuesit e Spitalit Ushtarak, me akuzën se kanë tejkaluar kompetencat e tyre me deklaratat e dhëna për vrasjen e protestuesve.

Dy mjekët pasditen e 21 Janarit, 2011 në deklarata televizive thanë se vdekja e 4 protestuesve kishte ardhur si rezultat i goditjes nga armët e zjarrit dhe se qitja ishte kryer nga një distancë shumë e afërt. Edhe presidenti i "Urdhrit të Mjekut" Dine Abazaj, ka pranuar se bëhet fjalë për një tejkalim kompetencash, ndërsa ka shpjeguar se do të nisë hetimi për këtë rast dhe vetëm komisioni disiplinor, që do të përbëhet nga dy mjekë dhe një jurist, do të vendosë nëse mjekët kanë abuzuar apo jo, si dhe masën ndëshkimore.