A1 Report - Irani ndërpret aktivitetin bërthamor në bazë të marrëveshjes për paqe

2015-08-21 2

IRAN - Irani ka ngrirë një pjesë të aktivitetit bërthamor siç ishte parashikuar disa ditë më parë në kuadër të marrëveshjes me Fuqitë e Mëdha të 5+1 Iran, Mbretëri e Bashkuar, Francë, Rusi, Kinë dhe Gjermani, që u zhvillua në Gjenevë më 24 nëntor të vitit të kaluar.
Kjo gjë u bë e ditur nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike dhe është përhapur nga burime diplomatike në Vienë edhe pse Agjencia atomike nuk ka dhënë ende një koment zyrtar në lidhje me këtë gjë.
Nga mediat lokale bëhet i ditur ndalimi i përpunimit të Uraniumit në 20% në impiantin kryesor, atë të Natanz, si edhe spostimi i inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike në impiantin e nëndheshëm në Fordò.
Në impiantin e Natanz janë përqëndruar më shumë se 3/4 e 19 mijë centrifugave iraniane për përpunimin e Uraniumit.
Irani kishte konfirmuar se në datën 20 janar do të niste zyrtarisht ndërprerja e përpunimit të uraniumit.
Ndërkohë, Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif ka përgëzuar nisjen e fazës së parë të kësaj marrëveshje, duke uruar që kjo gjë të mund të jape efekte pozitive për vendin dhe që të mund të sjellë akoma paqe dhe stabilitet në rajon dhe në botë.
Zarif shtoi gjithashtu se shpreson që praktika e kësaj marrëveshje mund t'i hapë rrugën bisedimeve të tjera për gjetjen e një zgjidhje përfundimtare të çështjes bërthamore. Pas këtij hapi, Teherani do të presë heqjen e sanksionve nga ana e Bashkimit Europian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.