Tiranë e Peshkopi, protesta kundër devijimit të rrjedhës së Radikës

2015-08-21 0

Qytetarët shqiptarë nga Tirana, përmes një proteste i dhanë përkrahje dibranëve të Maqedonisë të cilët kundërshtojnë devijimin e rrjedhës së lumit Radika. Protestat u mbajtën para kryeministrisë nga "Aleanca kundër devijimit të lumenjve". Ata konsiderojnë se devijimi i rrjedhës së lumit Radikë paraqet shkelje të të drejtave ndërkombëtare për ujërat ndërsa hodhën idenë për mbajtjen e një referendumi lokal nga ana e dibranëve. Protestuesit kërkuan vazhdimin e protestës edhe në ditët në vijim. Protesta u zhvilluan edhe në Peshkopi ku qeverisë dhe parlamentit të Shqipërisë, të reagojnë dhe të mos lejojnë zyrtarizmin e këtij projekti.

Protesta u nxit pas deklaratës së zëdhënësit të qeverisë së Maqedonisë Aleksandar Gjeorgjiev se pavarësisht reagimeve, projekti do të realizohet. Në seancën e fundit të qeverisë në Shkup u mor vendim për formimin e një Komisioni të përbashkët shqiptaro-maqedonas për linjën e tensionit të lartë Manastir-Elbasan dhe fushën e Llukovës, që të analizojë nëse ky projekt është i dëmshëm ose jo. Ndërsa ministri i Ambientit Jetësor Abdilaqim Ademi ka angazhuar Drejtorinë për Energjetik të realizojë një studim mbi ndikimin e këtyre projekteve ndaj ambientit jetësor. 'Nëse analizat dëshmojnë se ky ndërtim do të ndikojë negativisht ndaj ekosistemit, ne nuk do të lejojmë ndërtimin e këtij hidrocentrali dhe do të japim mendim negativ'-pati thënë më herët Ademi. Kundër projektit është shprehur edhe komuna e Dibrës dhe kreu i saj. Protesta kundër këtij projekti janë mbajtur para më shumë se një muaji edhe në Dibër si dhe në Nju Jork, ndërsa janë ngritur edhe peticione kundër projekteve. Projekti për Radikën ishte temë bisede edhe në takimin e djeshëm mes kreut të BDI-së Ali Ahmeti dhe ministrit të jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati në Pogradec. Ata nënvizuan se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të normave ndërkombëtare për ujërat dhe marrëveshjeve ndërshtetërore mes dy vendeve. Gjyltene Rexhallari