Vrasje e dyfishtë në Çair

2015-08-21 1

Vrasje e dyfishtë ka ndodhur sot rreth orës 10:30 minuta në lagjen Serovë të Çairit. 50 vjeçari Shukri Osmani ka lënë të vrarë me pistoletë, at e bir, Alajdun dhe Mustaf Hajredini. Aktit të vrasjes i ka paraprirë një zënkë verbale, një ditë më parë. Ndërkohë fqinjët e viktimave shprehen se ata, kanë qenë njerëz të urtë.

"Këtu ka ndodhur një vrasje e padëshirueshme, fqinjët ndërmjet veti. Arsyet, për një shuplak, hiç më tepër. Nuk e di se çfarë kanë pas mes vete, kanë pas një zënkë, ja kanë mëshuar një shuplakë, ajo ka ndodhur dje, kurse sot në formë hakmarrjeje, ja i ka vrarë. Janë dy viktima, babë e bir, janë të mbytur në vend. 57 vjeçar është baba, djali afro 30 vjeç", u shpreh një dëshmitar.

"Nuk e dimë se si ka ndodhur, vetëm pash policinë në mëngjes me pistoletë në dorë. Pyeta se çfarë u bë. Më tha se janë vrarë babë e bir. Pastaj e kërkonin vrasësin, kërkuan edhe ndihmë, pastaj erdhën edhe ekipe tjera të alfave, e kërkonin këndej pari", tha një tjetër dëshmitarë.
Nga Ministria e Brendshme njoftuan se autori i vrasjes është arrestuar në afërsi të spitalit gjinekologjik në Çair.

"Sipas informatave të deritanishme,incidenti ka ardhur pasi at e bir, për shkak të disa keqkuptimeve paraprake, kanë ardhur në shtëpinë e autorit të veprës penale, dhe kanë zhvilluar një përplasje verbale me të. I dyshuari, pasi ka hapur derën e hyrjes, menjëherë ka nxjerrë revolen dhe me disa të shtëna ka lënë të vdekur, personat at e bir", deklaroi Ivo Kotevski, zëdhënës i MPB-së.

Vrasja e sotme ka tronditur jo vetëm lagjen ku ndodhi. Sipas të dhënave të policisë, ky vit ka qenë më i qetë, vetëm me 22 vrasje, krahasuar me vitin e kaluar me 28 vrasje. Statistikat regjistrojnë si vitin më dramatik, 2003, me gjithsej 75 vrasje. Bedri Rexhallari