Qytetarët shqiptarë janë duke protestuar në Tiranë pranë Piramidës për devijimin e lumit Radika nga qeveria maqedonase. Në sheshin para Piramidës, janë mbledhur dhjetëra persona, dibranë e jo vetëm, të cilët kanë kërkuar që ky projekt të mos bëhet.
Duke folur në këtë protestë, poeti Agim Doçi tha se, të gjithë shqiptarët duhet të protestojnë për këtë vendim të qeverisë së Maqedonisë. Ndërsa organizatorët kanë kërkuar që kjo protestë të mos politizohet.
Projekti i "Fushës së Lukovës" që parasheh ndërtimin e një hidrocentrali do të bëhet përmes ndryshimit të rrjedhës së lumit Radika dhe shterrjes së tij dhe liqenit të Dibrës, gjë që rrezikon rajonin për mungesë të ujit të hidrentraleve mbi Drin dhe do të pësojë dëme të tjera ekologjike.
Qeveria e Maqedonisë e vendosur për të realizuar projektin e ndërtimit të hidrocentralit në "Fushën e Lukovës", pavarësisht reagimeve të banorëve të Dibrës dhe shoqatave ekologjike.
Zëdhënësi i Qeverisë, Aleksandar Gjorgjiev ka theksuar vendosmërinë e realizimit të projektit të Fushës së Lukovës, edhe pse ministrat shqiptarë të Mjedisit, dhe Ekonomisë, dhe komuna e Dibrës janë shprehur kundër projektit, pasi parashikohet ndryshimi i rrjedhës së lumit Radika dhe rrezikimi i ambientit jetësor në zonën e Dibrës.