PDSH kërkon tërheqjen e ligjeve për administratë

2015-08-21 0

PDSH-ja kërkoi tërheqjen e ligjeve për administratë, me arsyetimin se ata diskriminojnë shqiptarët. Opozita shqiptare akuzoi partitë në pushtet se ligjet në fjalë, të përgatitur në shtabin e VMRO-së, nuk garantojnë përmirësimin e përfaqësimit katastrofik të shqiptarëve në institucione. BDI-ja u kundërpërgjigj se punësimet nuk mund të realizohen pa pëlqimin e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ndërkaq Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë Ivo Ivanovski, preferoi të heshtte, lidhur me pyetjen se përse në dikasterin e tij shqiptarët mezi arrijnë 2%-in.

"Informatat flasin se diku prej vitit 2008-2013 janë të punësuar mbi 50 mijë maqedonas në dëm të shqiptarëve të cilët janë diku rreth 3-4 mijë së bashku me nacionalitetet e tjera. Ju mundoheni ta mbyllni këtë dështim të partnerit shqiptar të koalicionit i cili mbrohet se përmes amendamenteve do të përmirësojnë këto dy ligje", tha Gazmend Aliu, PDSH.

"Pa pëlqimin e këtij Sekretariati që është kompetent për të përcjellë përfaqësimin e drejtë dhe adekuatë nëpër të gjitha institucionet shtetërore nuk do të mund të bëhet asnjë punësim, nuk do të mund të shpallet asnjë konkurs për punësime të reja dhe nuk do të mund të miratohet asnjë program nga ministria e financave", deklaroi Nexhati Jakupi, BDI.

Reformat e parashikuara në ligjet e reja për administratë, LSDM-ja i cilësoi si anti-reforma.

"Cili është dallimi mes cilitdo nëpunësi në Ministrinë e Financave, nga nëpunësit në Dogana. Cili është dallimi mes cilitdo nëpunësi shtetëror dhe inspektorit? A nuk kryejnë të gjithë punën e nëpunësit, punë administrative? Të gjithë bëjnë të njëjtën gjë. Përse i ndan Qeveria? Apo ndoshta për ju ka rëndësi të veçantë Drejtori i Doganave apo Tatimeve?", u shpreh Ana Pavllovska Daneva, LSDM.

"Të gjithë të punësuarit në Maqedoni në sektorin publik, administratë do të përfshihen nga regjistri që do të udhëhiqemi dhe në çdo moment do të dimë se sa të punësuar ka në Maqedoni, një pjesë e tyre do të jenë nëpunës administrativ, ndërsa një pjesë do të rregullohen me ligjin për punë në sektorin publik", tha Ivo Ivanovski, Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administratë.

Opozita por edhe ekspertët gjithashtu vlerësojnë se ligjet për administratë nuk garantojnë depolitizim dhe departizim të administratës. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange