Spasov: Kandidati konsensual, përulje para VMRO-së

2015-08-21 1

Kërkesa për kandidat konsensual nuk është asgjë tjetër përveçse nënshtrim dhe përulje para partnerit më të madh në Qeveri. Kështu komenton analisti Gjorgji Spasov idenë që proklamon prej ditësh BDI-ja. Sipas tij, partia e Ahmetit, më mirë të kërkonte ndryshim të kushtetutës, në mënyrë që presidenti të zgjidhej në Parlament, ose versionin që përveç Presidentit, të ketë edhe një nënpresident.

"Nëse nuk keni mekanizëm institucional që ta detyroni qeverinë, aktualisht, të VMRO-DPMNE-së që ta bëjë atë me ndryshimin e kushtetutës, ju çdo herë do të jeni në një pozicion që do ta lutni dikë. Ju kërkoni mëshirë tani nga Gruevski që të pajtohet për kandidatin, në të kundërt, nëse nuk pranon kandidatin tim, ne nuk do të votojmë për kandidatin tuaj", tha Gjorgji Spasov, analist.

Ndërkaq Rizvan Sulejmani thotë se askush nuk iu ka faj shqiptarëve. Janë elitat politike ato që kanë pranuar uljen e pragut zgjedhor në zgjedhjen e presidentit. Tani, pragu figuron 40 %.

"Ne në vend që të themi jo 50 %, ju duhet 60%. Ne e lamë në 40%. Kjo është dobësia... ne duhet të kishim thënë jo 40 % por 60 %, në mënyrë që të impononim nevojën që presidenti të varej nga votat shqiptare. Ai ishte gabimi që bëri elita politike shqiptare, e që nuk falet", deklaroi Rizvan Sulejmani, analist.

Zgjedhjet e parakohshme, sipas analistëve, nuk do të ndryshojnë asgjë vetëm se do të ruajnë kursin e bllokimit të Maqedonisë drejt proceseve euro-integruese. Nëse BDI mbështet kërkesën për zgjedhje të parakohshme siç synon VMRO-ja, atëherë do të bëhet bashkëpjesëmarrëse e këtij bllokimi.

"Duke parë atë që ndodh, se nuk ka rezultat në sferën e ekonomisë, marrëdhënieve ndëretnike dhe afrimin drejt proceseve euro-integruese, aferat e korrupsionit të cilat janë gjithnjë e më shumë, Gruevski do të preferonte që dëmi të riparohej, por vetëm përmes zgjedhjeve të parakohshme", u shpreh Gjorgji Spasov, analist.

Spasov thotë se është momenti i fundit që politika mashtruese e Gruevskit të demaskohet.

"Për aq kohë sa kjo politikë nuk mposhtet, mendoj se Maqedonia do të mbetet jo vetëm në fund të procesit për integrim në NATO dhe BE, por Maqedonia rrezikon të zhduket edhe si shtet", tha Gjorgji Spasov, analist.

Aferat e fundit korruptive që publikon çdo ditë opozita, sipas analistëve, po i rrëzojnë mitet e proklamuara nga qeveria, të cilat ishin gjithashtu adut për fitoren bindëse në ciklet zgjedhore si ndershmëria dhe patriotizmi. Gjyltene Rexhallari