Përkujtohet 546 vjetori i vdekjes së Skënderbeut

2015-08-21 6

Sot bëhen 546 vjet nga ndalja së rrahuri e zemrës së luftëtarit me përmasa evropiane, Gjergj Kastriotit-Skënderbeu, si dhe 32 vjet nga vrasja në rrethana të paqarta të atdhetarëve Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zekës në Shtutgart të Gjermanisë. Lëvizja Qytetare 'Zgjohu', së bashku me Ambasadën e Shqipërisë dhe të Kosovës në Shkup shënuan këtë përvjetor me kurora me lule tek përmendorja e Skënderbeut.

"Gjergj Kastrioti Skënderbeu bashkoi shqiptarët dhe kohërat, bashkoi të kaluarën dhe të ardhmen. Ai hodhi themelet e para të shtetit shqiptar të sotëm dhe zgjoi krenarinë shqiptare. .....me krenarinë më të lartë përulemi para përmendores së tij", tha Teuta Zllatku, "Zgjohu".

Zv/kryeministri Musa Xhaferi ishte gjithashtu i pranishëm në këtë përkujtim, për të respektuar sakrificat dhe heroizmat e gjithë patriotëve shqiptarë.

"Si për rastësi, 17 janari lidhet edhe me rënien e vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zekës. Me këtë rast, ne i respektojmë të gjithë heronjtë....Është simbolikë shumë e veçantë këtu që përpara përmendores së Skënderbeut, institucionet, shoqatat joqeveritare, intelektualët dhe gjithë të pranishmit të përulen dhe të nderojnë me lule dhe kurora", deklaroi Musa Xhaferi, zv/kryeministër.

Në shënimin e këtij përvjetori munguan përfaqësuesit e partive shqiptare në opozitë. Gjergj Kastrioti-Skënderbeu vdiq në Lezhë në vitin 1468, në moshën 63-vjeçare. Valmir Kuçi

Free Traffic Exchange