Vazhdojnë përplasjet mes drejtorit të Fondit të Filmit dhe regjisores

2015-08-21 2

Regjisorja Shqipe Nuredini Duka këmbëngul në padrejtësitë e Fondit Maqedonas të Filmit, duke iu adresuar pikërisht drejtorit Darko Basheski, se shpërfill reagime për padrejtësitë që iu bëhen artistëve shqiptarë. Regjisorja Nuredini-Duka thotë se me deklaratën e një dite më parë, Bashevski ka fyer sërish artistët shqiptarë.

'Shpifjet e tij do të jenë pjesë e aktpadive gjyqësore që do të ngre kundër tij. Është banale që në vitin 2014 Bashevski të flasë për një film i cili edhe aso kohe mori një grimcë nga kulaçi i madh i fondit, i cili si atëherë edhe sot vazhdon të prodhojë filma milionësh, kuptohet maqedonas. Bashevski është mjeshtër për të lakuar të vërtetën', tha Shqipe Nuredini-Duka, regjisore.

Drejtori i Fondit të Filmit Maqedonas Darko Bashevski sot nuk deshi të kundërpërgjigjej, duke mos dashur të krijojë debat ndër-personal. Ai gjithsesi, theksoi se i mbetet qëndrimit të djeshëm.

'Shqipe Nuredini e cila lëshoi këto akuza, veç më ka marrë përkrahje për një projekt nga Fondi i Filmit në vlerë prej 78 mijë eurove. Filmin e përfundoi por ndërkohë ne konstatuam shumë parregullsi gjatë shpenzimeve të qëllimshme, e tejkaluam këtë problem. Nga ana tjetër ai film përveç shfaqjes në Kinotekën e Maqedonisë, nuk e kemi idenë se a është shfaqur edhe diku tjetër', tha dje Darko Bashevski -- Drejtor i Fondit të Filmit.

Bashevski iu adresua Nuredinit se Fondi i Filmit ndjek parimet dhe projektet e vlefshme gjithmonë marrin miratim pa dallime në baza etnike. Valmir Kuçi