A1 Report - Gjiknuri: Kontrabandë me hidrokarburet dhe rafineri fantazma

2015-08-21 0

TIRANE- Tregu shqiptar i hidrokarbureve vazhdon të lundrojë në një informalitet të lartë dhe jashtë standardeve minimale të cilësisë.

Ministri i Energjetikës dhe Industrisë, Damjan Gjiknuri, duke pranuar nivelin e lartë të spekulimeve nga bizneset në këtë sektor, ka deklaruar zbulimin e rafinerive kontrabandë të hidrokarbureve në vend që janë dhe shkaku i cilësisë së dobët në shitjen me pakicë.

"Është problemi i rafinerive ilegale. Në Shqipëri ka plasur fenomeni gjatë viteve të fundit me ndryshimet në ligj që fatkeqësisht kanë krijuar hapësirën e nevojshme për të ndërtuar gjoja impiante riciklimi që në vetvete kanë qëllimin e tyre marrjen e naftës bruto dhe përzierjen për efket të lëshimit të këtij produkti në treg. Paketa ligjore po përgatitet për ta futur industrinë e naftës në standardet e pranuara europiane"- tha Gjiknuri.

Gjatë takimit që ministri Gjiknuri zhvilloi me krerët e Inspektoratit Qendror Teknik, ai theksoi se mbikëqyrja e standardeve është shumë e rëndësishme.

"Këtë muaj kam parë një riaktivizim të inspektoriatit pas një peridhe që do të thoja errësire që është bërë me dashje për të favorizuar gjallimin e shumë aktiviteteve ilegale që bënin evasion fiskal, apo punonin me produkte jashtë standardeve" -- tha Gjiknuri, i cili shtoi se dune rregulla të forta dhe në tregtimin e bombulave të gazit.

Ministri Gjiknuri paralajmëroi një furtunë masash të ashpra dhe kontrollesh në sektorin e hidrokarbureve, ku kompanitë do të jenë nën një monitorim të vazhdueshëm. Në 3-mujorin e fundit të vitit 2013 u kryen 769 kontrolle të cilësisë nga 3421 që u realizuan gjatë gjithë vitit, dhe u ndëshkuan 40 subjekte.