A1 Report - Reforma territoriale, shtyhet ngritja e Komisionit, PD:Duhet konsensus

2015-08-21 0

TIRANE- Konferenca e Kryetarëve shtyu për të mërkurën vendimin për ngritjen e Komisionit Parlamentar për reformën territoriale. Kryeparlamentari Ilir Meta tha se në Kuvend ndodhet kërkesa për ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën territoriale që sipas tij do të ketë dy bashkëkryetarë, një nga Partia Socialiste dhe një nga Partia Demokratike.

Por kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, e kundërshtoi këtë. Ai kërkoi më shumë kohë për t`u njohur me draftin e propozuar për reformën territoriale. Paloka tha se opozita "është për një reformë territorisle, por të bëhet sipas kushteve të caktuara, me konsensusin e të gjitha palëve".

"Nuk e kemi marrë dokumentin përngritjen e komisionit për reformën territoriale. Ne duam reformë, por nuk është forma e duhur ajo që është ndjekur deri tani. Grupi i punës duhet të ishte ngritur me të dyja palët, pasi ne kemi rezervat tona, nuk mund ta propozojë vetëm Partia Socialiste. Nuk kemi pasur kohën e duhur për të konsultuar për draftin e propozuar. PS është një parti që nuk respekton marrëveshjet, ashtu siç ndodhi edhe me statusin e nëpunësit civil", tha Paloka.

Reforma territoriale dhe ajo në drejtësi, janë dy sfida të rëndësishme për kreun e Parlamentit i cili një ditë më parë në një deklaratë për shtyp tha se drejtësia është sfida kryesore në procesin e integrimit të Shqipërisë.