Deputetët përplasen rreth politizimit të lustrimit

2015-08-21 1

Procesi i Lustrimit ka përplasur parlamentarët rreth politizimit të tij. Debatet ndodhën gjatë emërimit të përbërjes së re të komisionit për lustrim. VMRO-ja vlerëson se kundërshtimi i këtij procesi nga ana e LSDM-së ka për qëllim mbrojtjen politikanëve të saj, që kanë qenë bashkëpunëtorë të regjimit të kaluar. Për LSDM-në, procesi i lustrimit është shndërruar në mjet revanshizmi dhe shantazhi ndaj kundërshtarëve politik të VMRO-së.

"Fushata negative që po zhvillohet viteve të fundit nga mediat dhe intelektualët e afërt me LSDM-në kundër procesit të lustrimit, për mua është e papranueshme dhe komplet politike. Gjithë kjo fushatë që bën LSDM-ja kundër procesit të lustrimit për të shpëtuar 3-4 figura të saj, është anti-civilizuese", u shpreh Ilija Dimovski, VMRO DPMNE.

"Nuk është i vërtet pohimi se në ligj ka dispozitë që lejon lustrimin e të vdekurve. Fryma e Ligjit për verifikimin e fakteve është se qytetarët të cilët kanë spiunuar nuk mund të kryejnë funksione publike. Askund në ligj nuk shkruhet se mund të lustroni Sllavko Janevskin. Si mundet njeri i vdekur të ankohet në komisionin e shkallës së dytë?!", deklaroi Jani Makraduli, LSDM.

Partia opozitare shqiptare RDK vlerëson se procesi i lustrimit do të kishte kuptim vetëm nëse paralelisht miratohej edhe ligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, viktima të regjimit komunist.

"Në Maqedoni ka mbi 24 mijë të burgosur, të persekutuar, të diferencuar politik shqiptarë. Prej tyre 5200 janë të gjallë. Ky proces do të kishte kuptim sikur të shoqërohej me një ligj i cili do t'u rregullonte të drejtat dhe në një farë mënyre do t'u kompensonte dëmin shpirtëror të gjithë këtyre të përndjekurve politikë", tha Naxhi Xhelili, RDK.

Të përndjekurit politik shqiptarë prej vitesh kërkojnë një ligj të tillë, por pavarësisht premtimeve të BDI-së, kërkesa e tyre nuk është realizuar ende. Benjamin Arifi