Janë rritur dallimet mes shqiptarëve dhe maqedonasve për emrin

2015-08-21 1

Mes shqiptarëve dhe maqedonasve janë shtuar përçarjet rreth çështjes së emrit. Kështu tregon studimi i fundit i Qendrës maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar, i cili ka vërejtur rritje të predispozitës së qytetarëve maqedonas për ngrirjen e bisedimeve me Greqinë, madje deri edhe mungesë gatishmërie për të mbështetur çfarëdolloj zgjidhje rreth emrit. Shifra është e madhe, 80 %.

"Qytetarët e ndjejnë se në përbërjen e tanishme të qeverisë greke, nuk ka vullnet të sinqertë për arritjen e zgjidhjes, e cila do të ishte e pranueshme për Greqinë dhe Maqedoninë, e që do të na hapte dyert drejt Bashkimit Evropian", tha Nikolla Poposki, Ministër i Jashtëm.

Për opozitën, Maqedonia nuk mund të ketë pozicione të fuqishme karshi Greqisë për aq kohë sa nuk arrin konsensus të brendshëm shtetëror.

"Kemi kërkesë nga ana jonë për takim me njeriun i cili nuk e shpiku çështjen e emrit, por që gjatë karrierës së tij u mor me problemin e emrit, Andonis Samaras... pra ka gatishmëri për takim me Andonis Samarasin, por nuk ka gatishmëri për të takuar ndonjërin nga liderët e opozitës", deklaroi Stevo Pendarovski, Këshilli për siguri të LSDM-së.

Sipas profesorit Rizvan Sulejmani, shqiptarët rezultojnë të jenë peng i gjithë kësaj situate.

"Shqiptarët siç mund të konstatojmë të gjithë, janë të izoluar si në një liqen ku çdo ditë uji tërhiqet. Mbytemi për ujë dhe frymë. Por cila është rrugëdalja? E majta thotë që të shkojmë më shpejtë nga deti - NATO dhe BE-ja. Ndërsa e djathta përpiqet që uji të mos shkojë në atë drejtim", u shpreh Rizvan Sulejmani, profesor.

Studimi gjithashtu flet se 63% e qytetarëve do të votonin kundër propozimit "Republike e Epërme e Maqedonisë" për përdorim të përgjithshëm, madje edhe me koston e integrimit të vendit. Qëndrime jo miqësore, qytetarët kanë shprehur edhe ndaj Bullgarisë, të cilën nuk e shikojnë si fqinjë mike. Semra Jakupi