KRUJË - Kalimet e paligjshme në kryqëzimin e hekurudhave vijojnë të mbeten një problem shqetësues për banorët e fshatit Shullaz të Kurbinit që gjendet mes Milotit dhe Lacit në afërsi të ish-kombinatit kimiko-metalurgjik. Banorët dhe automjetet e rastit janë të detyryar të kalojnë mbi shina pasi mbikalimet nuk funksionojnë prej thuajse 2 dekadash. Banorët dhe drejtues mjetesh shprehen se janë të detyruar të kalojnë mbi këto kryqëzime, ndonëse ndihen vazhdimisht të kërcënuar nga rreziku i aksidenteve në hekurudhë.
"Këtu ka shumë vjet që s'ka stacion. Ka qenë stacioni postblloku me roje e me të gjitha, por nga '92-'93 këtu nuk ka patur stacion".
"Këtu kanë ndodhur shumë aksidente. Është mirë të vendoset se është si rregull të vendoset në çdo vend postblloku. Ka qenë përpara, tani nuk është", thonë disa prej banorëve për A1 Report.
Nga ana tjetër në këto zona, pavarësisht se mungojnë mbikalimet e ligjshme, nuk të zë syri as tabelë apo sinjalistikë për të paralajmëruar mungesën e mbikalimeve dhe në këtë mënyrë për të shmangur rrezukun e aksidenteve. Për pasojë, vitet e fundit janë shënuar dhjetëra aksidente në hekurudhë jo vetëm në Kurbin, por edhe në linja të tjera hekurudhore.