A1 Report - Hakerohet faqja e M. se Drejtesise, dalin te dhenat noteriale

2015-08-21 2

TIRANE- Dy javë nga sulmi kibernetik i e-maileve të qytetarëve të zakonshëm për kryeministrin Rama, i njëjti grup hakerësh godet sërisht. Këtë radhë është faqja zyrtare e Ministrisë së Drejtësisë ajo që është bërë pre e hakerimit. Bëhet fjalë për një sulm të ndodhur në regjistrin elektronik noterial, në shërbimin e provës dhe përmbarimit gjyqësor. Grupi shqiptar i hakerave, RedAnons_Al zotëron të dhënat e këtyre rubrikave në faqen www.justice.gov.al, dhe kërcënon se do të nisë t'i bëjë publike të dhënat që ka marrë, nëse qeveria shqiptare nuk plotëson kërkesat e tyre.

Hakerët kërkojnë hetimin e disa ish-zyrtarëve, ku një ndër ta është edhe , ish-sekretari i Përgjithshëm në Ministrinë e Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikës, Dardan Domi, i shkarkuar gjatë ditës së martë për abuzime me tenderat publike.

Grupi i hakerave i kërkon gjithashtu qeverisë që të mos ketë marrëveshje me Greqinë, sipas tyre në dëm të Shqipërisë dhe statusit të kandidatit, dhe të mos bëhen kërkime në ujërat shqiptare.

Të çohet deri në fund hetimi dhe procedimi penal ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, është një tjetër kërkesë që vjen prej grupit të hakerave.

Përveç grabitjes të parave të taksapaguesve shqiptarë, thonë hakerat, Imami nuk duhej të bëhej kurrë ministër. Këtë, hakerët e motivojnë me ngritjen e flamurit grek në Sarandë në vitin 1997, në vlerësimin e tyre, një gjest i turpshëm dhe skandaloz. Çështje të tjera që kërkohen të rishikohen, janë vendosja e gjobave nga policia rrugore, si dhe të hetohen rastet kur pedagogët marrin para në këmbim të notës.

RedAnons_Al, i vë ultimatum qeverisë që nëse nuk reagon brenda 90 ditëve ndaj kërkesave të tyre, do të fillojnë publikimin e komunikimeve të zyrtarëve të kësaj qeverie, duke përfunduar, sipas tyre, me një surprizë të pakëndshme për hapësirën kibernetike shtetërore.