A1 Report - Basha nga Elbasani: Do e çlirojme Shqiperine nga qeveria Rama-Meta

2015-08-21 0

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë takimit të tij në qytetin e Elbasanit, në kuadër të 23 vjetorit të themelimit të PD, bëri thirrje për një hapje të re në strukturat e kesaj partie. Gjithashtu Basha tha se, "PD do e çlirojë Shqipërinë nga qeveria Rama-Meta".

Duke folur para anëtarëve të PD-së, Basha tha se partia duhet të përthithë energjinë pozitive të brezit të ri të demokratëve. "Nderojmë kontributin e themeluesve, por tashmë ka ardhur koha që brezit të ri t'i besohet stafeta", tha ai.

Lideri i opozitës e vlerësoi Elbasanin si qytetin ku edhe do të nisë reflektimi i thellë drejt një proçesi hapjeje, duke përqafuar vlerat dhe konceptet e demokracisë.

Duke përmendur ato që ai i cilësoi arritje të 8 viteve qeverisjeje, Basha akuzoi qeverinë se nuk po mban asnjë nga premtimet elektorale. "Në 8 vite PD rriti rrogat dhe pensionet, PS rriti taksat dhe futi militantët në punë", ka deklaruar Basha.

"Nga Elbasani ju them se PD nuk do të jetë e nënshtruar ndaj presionit politik, se demokratët janë dhe do të jenë për demokraci dhe shtet ligjor", tha Basha. "I them Ramës nga Elbasani se po luan me zjarrin dhe do të ndëshkohet. Do të çlirojmë Shqipërinë nga qeveria Rama-Meta", ka deklaruar kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Free Traffic Exchange