Edhe fshati Luboten është viktimë e politikave diskriminuese të Komunës së Butelit. Sikurse Vizbegu, edhe ky vendbanim shqiptar është lënë në kushte mizore larg vëmendjes së Komunës. Mospërfillja e autoriteteve i ka lënë rreth 4 mijë banorë të Lubotenit pa ujë të pijshëm. Rezervuari i ujit që duhet të furnizojë me ujë këtë fshat, është në gjendje katastrofale, i hapur dhe pa asnjë filtrim. Banorët thonë se shpeshherë kanë gjetur edhe gjarpërinj, bretkosa e gjëra të tjera në rezervuarin që u sjell ujë në shtëpitë e tyre. Uji jo vetëm që nuk është i pijshëm, por nuk guxon të përdoret as për higjienë.
"Qe 30-40 vite mashtrim ka, do të bëhet nuk do të bëhet. Faktikisht uji është i ndaluar edhe për pirje, edhe për larje. Problem nuk ka. Ujë marrim këtu, 600 shtëpi jemi pa ujë. Problemi më i madh është uji. Rrugët katastrofë, uji katastrofë. As nuk interesohet askush, kryetari i Komunës së Butelit ka thënë se do të bëhet, por shumë vite nuk u bë dhe nuk i intereson askujt", u shpreh një banor.
"As sën i lan enët në shtëpi. Kur bie një shi, bëhet krejt baltë. E kanë bë një bazen aty. Hyn gjarpërinj, hyn gjithçka aty", tha një banor tjetër.
"Unë më shumë jam i dëshpëruar nga qeveritarët tonë. Se sa për kryetarin e komunës, ne e dimë se ai edhe investimet që i kemi bërë ne mundohet të na i prishë, e jo ti rregullojë. Por më shumë jam i dëshpëruar nga qeveritarët tonë se asnjëherë nuk interesohen të vinë në këtë fshat të qajmë ndonjë dert", deklaroi një banor.
Për të mbijetuar, banorët me vetëfinancim kanë ndërtuar një kanal që sjell ujin nga bjeshkët e Bashinezit në fshatin Luboten. Janë ndërtuar dy çezma nga të cilat furnizohet me ujë i tërë fshati, që ka rreth 500 shtëpi. Banorët thonë se disa herë janë drejtuar në komunë për problemin e ujit, madje kanë pasur premtime edhe nga Ministri i Ambientit Jetësor Abdylaqim Ademi, por sot e kësaj dite asnjë prej këtyre institucioneve nuk ka bërë diçka konkrete rreth këtij problemi. Përveç mungesës së ujit, banorët ankohen edhe për infrastrukturën rrugore, në të cilën gjithashtu nuk është investuar nga ana e Komunës.
"Nikolla Gruevski e han djersën e krejt shqiptarisë. Investime në Shkupi 2014, në Aerodrom, në pjesët shqiptare një investim të vogël nuk e bën", theksoi një banor.
Kryetari i Komunës së Butelit Petre Llatinovski edhe sot nuk deshi të prononcohet për televizionin Alsat lidhur me akuzat e banorëve shqiptarë për diskriminimin e tyre. Përderisa ai ndërton objekt komune në vlerë prej 1 milion e 200 mijë euro dhe përmendore të Nikolla Vapcarovit në vlerë prej 8 milion denarë, banorëve të Lubotenit dhe Vizbegut u mungojnë kushtet elementare për jetë. Jo vetëm në infrastrukturë dhe investime, por Komuna e Butelit diskriminon shqiptarët edhe në punësime. Nga 62 të punësuar në administratën e komunës, ka vetëm 2 shqiptarë, që arrin vetëm 3% nga numri i përgjithshëm i të punësuarve. Kjo shifër është minore dhe shpërfillëse duke marrë parasysh se në Komunën e Butelit jetojnë mbi 9 mijë banorë, që për...