ATHINE- "Zhduket" nga harta anija e ngarkuar me lëndë kimike të Sirisë, dhe anija shoqëruese e OKB, pasi është mbyllur sistemi satelitor që monitoron lëvizjen e saj.
Dy anijet të cilat po bëjnë transportimin e armëve kimike të Sirisë, "Ark Futura" që mban flamurin danez, dhe anija "Taiko" që mban flamurin e Norvegjisë, kanë mbërritur në portin e Latakias në fshehtësi të madhe.
Pasi janë ngarkuar dhe kanë filluar transportin, dy anijet janë parë për herë të fundit pranë ishullit të Qipros më 29 dhjetor 2013.
Mbyllja e sistemit satelitor që monitoron lëvizjen e anijeve, mendohet se ka për qëllim mbajtjen sekrete të pikës ku do të bëhet shkatërrimi i armëve kimike të Sirisë. Mediat e huaja kanë publikuar foto dhe video nga marina mbretërore daneze e cila po realizon transportin e armëve kimike të Sirisë nga porti i Latakias.