KORÇË - Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ka liruar ish-Drejtorin e Kufirit dhe Migracionit, Ylber Zyberi. Ky i fundit u arrestua në 3 dhjetor 2013 nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe kontrabandës së mallrave.
ORA 17:25 ZYBERI: PROCESI ISHTE I INSKENUAR
Menjëherë sapo ka dalë nga qelia, ish-drejtori i Policisë së Kufirit të Korçës, Ylber Zyberi ka hedhur akuza për inskenime në drejtim të tij.
"Procesi gjyqësor ishte i inskenuar. Qëllimi i vetëm ka qenë denigrimi i personalitetit tim", ka thënë Zyberit pasi ka lënë qelinë e paraburgimit në drejtorinë e Policisë së Korçës.
Sipas ish-drejtorit të Policisë së Kufirit, "gjykata vërtetoi drejtësinë". "Hetimet vazhdojnë dhe unë kam besim të drejtesia", ka deklaruar në fjalën e tij Ylber Zyberi.
ORA 15:33 GJYKATA E APELIT LIRON ISH-DREJTORIN E POLICISE SE KUFIRIT
Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë ka liruar sot ish-Drejtorin e Kufirit dhe Migracionit, Ylber Zyberi. Disa ditë më parë ishte Gjykata e Apelit e cila shpalli të pavlefshme procesverbalet e përgjimit ndaj ish-drejtorit të kufirit. Sipas Apelit ky përgjim ishte bërë në shkelje me ligjin procedurial.
Pas këtij vendimi Zyberi kërkoi revokim të masës së sigurisë "arrest me burg" që të lihej i lirë. Gjatë seancës së sotme Gjykata e Shkallësë së Parë, vendosi lënien të lirë të ish-drejtorit të Kufirit, Ylber Zyberi nga akuzat e ngritura nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Korçë.
Nga hetimet e kryera më parë, drejtori i Kufirit akuzohej se në vazhdimësi kishte favorizuar kalimin e mallrave kontrabandë jashtë pikës doganore duke shmangur kontrollet e policisë kufitare në vendkalimet e mjeteve me mallra kontrabandë duke bërë herë pas here edhe shoqërimin e këtyre mjeteve me qëlim moskapjen e tyre nga strukturat e policisë.
Në seancën e parë, Zyberi u la në "arrest me burg" nga Gjykata e Shkallës së Parë. Ndërsa në seancën e sotme Zyberi deklaroi se herë pas here kishte njoftuar Drejtorinë e Policisë së Qarkut Korçë në lidhje me kotrabandën e mallrave por ajo sipas tij nuk kish marrë asnjë lloj mase për goditjen e këtij grupi kontrabandistësh.