Zgjedhjet presidenciale dhe koncepti i BDI-së për kandidat konsensual kanë mbretëruar gjatë takimit të sotëm mes kreut të BDI-së Ali Ahmeti, ish kryeministrit Vllado Buçkovski dhe Lupço Zikovit, kryetarit të Aleancës për Maqedoni Pozitive. Megjithatë në këtë takim nuk është anashkaluar situata politike në vend, posaçërisht çështja e emrit dhe procesi euro-integrues i vendit, me ç'rastë bashkëbiseduesit janë shprehur se procesi integrues është procesi i vetëm që garanton paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe siguri jo vetëm në Maqedoni por edhe në mbarë Ballkanin Perëndimor.
"Politikanët zgjidhen për të sjell vendime të përgjegjshme dhe të guximshme dhe për këtë, partitë politike duhet që të tregojnë gatishmëri që të zgjedhin një President të Maqedonisë që do ti përfaqësojë denjësisht të gjitha komunitetet në vend dhe do të angazhohet denjësisht për synimet Euro-Atlantike të të gjithë qytetarëve", është shprehur gjatë takimit kryetari i BDI-së, Ahmeti.
Nisma e BDI-së është mirëpritur edhe nga kryetari i Aleancës për Maqedoni pozitive, Lupço Zikov
"Zikov theksoi qëndrimin afirmativ për një kandidat konsensual për President duke theksuar që se kjo është një nismë e mirë që do ta stabilizoj skenën politike dhe bashkëjetesën. Ky është një hap me rëndësi dhe është shumë mirë që hapet kjo temë në këtë kohë në Maqedoni", thuhet më tej në komunikatë.
Për çështjen e presidentit konsensual dhe procesin e integrimit Ahmeti pritet të bisedoj edhe në takimin që do të zhvilloj me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev. Ndërsa jo zyrtarisht mësohet se derisa BDI-ja është në kërkim të një kandidati konsensual, VMRO-DPMNE-ja do të sfidon Ahmetin duke i dhënë mundësinë edhe për një mandat presidentit aktual, Gjorge Ivanov. Bedri Rexhallari