Gjirokastër, shembet një banesë monument kulture, shkak degradimi

2015-08-21 1

GJIROKASTER- Ka nisur sot shembja e banesës së Hadërajve, objekt mbi dy shekullor i cili renditet në listën e trashëgimisë kulturore në qytetin e Gjirokastrës. Vendimi për shkatërrimin e një pjese të mirë të objektit trekatësh, është marrë nga ana e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare dhe Institucioni i Prefektit.

Kjo nismë, u diktua, pas apeleve të herëpashershme, të banorëve dhe familjeve që jetojnë pranë saj, në kushtet kur ndiheshin potencialisht të rrezikuar për jetën.

Para disa ditëve, një pjesë fundore e kësaj banese, u dëmtua nën vëzhgimin e specialistëve të monumenteve, ndërsa sot, gati një e katërta e shtëpisë, monument kulture e kategorisë së dytë, është shembur e për rjedhojë, është larguar rreziku për banorët apo dhe kalimtarët që lidh këtë objekt, me rrugën kryesore të lagjes "Mecite".

Banesa në fjalë, prej vitesh gjendej e braktisur nga të zotët apo dhe bujtësit e fundit të cilët janë larguar, tre vjet më parë qysh kur u përpi nga flakët një pjesë e mirë e ndërtesës.

Sot në orët e para të mëngjesit, ka nisur shembja e kontrolluar përmes një vinçi të madh të ardhur me porosi nga Saranda, posaçërisht për të shembur mekanikisht, pjesën e planimetrike.

Shtëpia e Hadërajve konsiderohet si një nga banesat më të bukura të qytetit të gurtë për vetë faktin e stilit të ndërtimit të saj.

Mungesa totale e fondeve rehabilituese në tetë vitet e fundit tek ky objekt nga ana e qeverisë shqiptare, është shoqëruar me degradim total të saj, çka u pa e udhës rrënimi sesa mirëmbajtja.

Shkon kështu në rreth 20 objekte, pjesa më e madhe monument kulture, prej të cilave ka edhe nga ato të kategorisë së parë, numri i ndërtesave në qytetin e gurtë të cilat janë shembur apo janë drejt degradimit të plotë.

Free Traffic Exchange