Vjeshta dhe dimri nuk janë stinët e preferuara të banorëve të Vizbegut. Kjo për shkak se edhe reshjet më të vogla të shiut ose borës pamundësojnë lëvizjen në rrugët e kësaj lagje të zhytura në baltë. Edhe pse vetëm disa kilometra larg Qendrës së kryeqytetit dhe komunave urbane si Karposhi e Qendra, ky fshat është fshirë nga lista e prioriteteve të autoriteteve lokale. Në Vizbeg, siç rrëfejnë banorët, ka rrugë që nuk janë meremetuar për më tepër se 20 vite. E tillë është edhe rruga e emërtuar si "Rruga 3", që kalon në dy komuna, atë të Butelit dhe të Shutkës.
"Meqenëse ne paguajmë tatimet për veturat dhe tatime e tjera, bëhen pagesat, a në realitet të gjitha pagesat e tona shkojnë në një drejtim tjetër, që nuk e dimë as vet", tha një banorë.
"Shtëpitë e tona i kemi paguar dy herë. Ti tregojmë atij që kemi blerë shtëpi na ka dalë pronë shteti. E kemi blerë prej shtetit, kemi paguar tatim në komunë. Edhe pse kemi dhënë shumë të holla, askush nuk na ka dalë ballë për 1,5 kilometër rrugë, rrugë e cila është 4,5 kilometra larg Aleksander Palace", u shpreh një tjetër banor.
"Të legalizuara janë shtëpitë, paratë na kanë marrë. Dritat në rrugë paguhen, a nuk ka drita në rrugë. Balta siç e shihni edhe vetë", deklaroi një banor.
Shkolla fillore në të cilën vijojnë mësimin fëmijët e kësaj lagjeje gjendet në Shuto Orizarë, rreth 3 kilometra larg Vizbegut. Banorët rrëfejnë se për fëmijët e moshës prej 6 deri 10 vjeç është e vështirë të ecin çdo ditë dimri rrugët e mbuluara me baltë.
"Fëmijët tanë nëpër këtë rrugë shkojnë në shkollë, shkollën 26 korriku. Kur është pak koha e vështirë është tepër gjendje e keqe. Fëmijët edhe në shkollë nuk mund të hynë prej baltës", shpjegon një banor i Vizbegut.
Banorët kanë kontaktuar edhe kryetarin e Komunës së Butelit Petre Llatinovski, por përgjigjja e tij ka qenë se shkaku i mungesës së investimeve në Vizbeg është vota që këto banorë nuk ia kanë dhënë VMRO-së. Ata paralajmërojnë edhe masa të tjera më radikale.
"Unë kam shkuar 100 herë te Latinovski me fqinjët e mi, na ka thënë nuk na keni votu neve se u kishim shtruar rrugën", dëshmoi banori.
"Në emër të popullatës së Vizbegut apelojmë, nëse nuk merr kryetari i Komunës masa, do të dalim masovisht të bojkotojmë komunën e Butelit", u shpreh një banor tjetër.
Gjendjen e fshatit më së miri e përkufizoi haxhia, me dy fjalë.
"A nuk është turp? 500 shtëpi shqiptarësh, 2 metra udhë nuk kanë", tha një i moshuar.
E përderisa mungojnë investimet në këtë fshat, banorët do të luten që sa më shpejtë të del pranvera e t'u thahet balta në pragjet e shtëpive të tyre. Benjamin Arifi