A1 Report - Akuzat ndaj Mark Frrokut, s'ka marreveshje ekstradimi me belget

2015-08-21 6

Megjithëse drejtësia belge e ka dënuar me 10 vite burg për vrasjen e shtetasit Aleksandër Kurtit, dhe çështja do rigjykohet sërisht, deputeti i PKDSH, Mark Frroku, momentalisht nuk mund të ekstradohet edhe në rast se Belgjika kërkon ekstradimin e tij. Kjo pasi, sipas Prokurorisë së Përgjithshme, mes dy shteteve Shqipëri-Belgjikë, nuk ka një marrëveshje ekstradimi të personave të dënuar nga dy drejtësitë respektive. Fakti se ka munguar një marrëveshje e tillë, ka lënë të lirë prej shumë vitesh deputetin Mark Frroku, i cili siç shkruante media Belge, ishte dënuar me 10 vjet heqje lirie për akzuën e vrasjes në bashkëpunim me 3 persona të tjerë.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 5 mars 1999 pranë stacionit të trenit në Bruksel, ndërkohë që dënimin me 10 vite burg në mungesë e ka dhënë Kryetaria e Gjykatës së Brukselit, Isabelle De Saedele. Mes 4 të dënuarve janë dy vëllezër shqipatë më mbiemrat Frroku, njëri quhet Mark dhe tjetri Nardi. Aleksandër Kurti u qëllua për vdekje me thika në një stacion metroje në jug të Brukselit. Sipas gjykatëses, Isabelle De Saedeleer ai ndodhej në Bruksel për të ndihmuar disa shqiptarë të kalonin nga Belgjika në Angli, ku ai jetonte. Gjatë kohës që ndodhej në Bruksel, ai ka takuar një prostitutë shqiptare, që ai e njihte që në Shqipëri, dhe e ka kërcënuar atë, se do i tregonte familjes së saj.

Vajza e alarmuar ka njoftuar tutorin e saj, Nardi Frroku, i cili sipas gjykatës belge organizoi një ndëshkim për Kurtin. Në këtë ndëshkim morën pjesë: Nardi Frroku, Mark Frroku, Besnik Vuka dhe Lek Bib Xhafa. Vendimi i gjykatës në dënimin e të akuzuarve është marrë duke u bazuar në dëshminë e Nikollaq Kurtit dhe dëshmitarëve që gjykata i ka mbajtur anonimë. Sipas gjykatës belge katër të dyshuarit kanë paramenduar vrasjen, dërkohë që është hetuar dhe shtetasi shqiptar me emrin Alfred Kola. Ky i fundit ka ndihmuar të dyshuarit të lënë Belgjikën, por nuk ka marrë një denim. Të katër personat cilësohen nga gjykata si krerët e prostitucionit në Bruksel dhe Charleroi.