A1 Report - Abuzimi me asistencen, ne prokurori zyrtarja e Bashkise Leskovik

2015-08-21 1

Ministria e Mirëqënies Sociale vazhdon kontrollet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe Pagesave të Aftësisë dhe denoncimet në prokurori të personave dhe zyrtarëve të cilët kanë abuzuar me ndihmën sociale.

Sot Shërbimi Social Shtetëror i kësaj ministrie ka kallëzuar në Prokurorinë e Rrethit të Korçës Përgjegjësen e Seksionit të Ndihmës Ekonomike dhe të Personave me Aftësi të Kufizuar, Bashkia Leskovik. Ajo akuzohet për shpërdorim të detyrës.

"Nga kontrolli i ushtruar nga auditi i Shërbimit Social Shtetëror ka rezultuar se 35 për qind e skemës së ndihmës ekonomike dhe 73 për qind e skemës së aftësisë së kufizuar është abuzive. Më konkretisht, 43 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në Bashkinë e Leskovikut e kanë përfituar atë në shkelje me kriteret e përcaktuara ligjore, ndërsa janë vërejtur 62 raste të invalidëve të punës me mungesë dokumentacioni."- thuhet në njoftimin e sotëm të ministrisë së Mirëqënies Sociale

Gjatë kontrollit të dosjeve të personave me aftësi të kufizuara rezultoi se nga 38 persona që trajtohen me pagesë paaftësie në Bashkinë e Leskovikut, 24 prej tyre e kanë përfituar atë në shkelje të kritereve ligjore.

Sipas vlerësimit paraprak të ministrisë, për periudhën e kontrolluar, këto shkelje ligjore i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit gjithsej një dëm prej 3.732.381 lekë.

Për këto shkelje Ministria bën përgjegjëse Administratoren e Ndihmës Ekonomike dhe të Aftësisë së Kufizuar të Bashkisë Leskovik.

Shërbimi Social Shtetëror ka kërkuar regjistrimin e procedimit penal ndaj të kallëzuarve dhe ushtrimin e ndjekjes penale ndaj personave të tjerë që do të rezultojnë përgjegjës gjatë hetimeve të kryera.