TIRANË - Zbardhet axhenda e mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë, që do të zhvillohet ditën e nesërme në Prizren. Axhenda është zbardhur nga Ministria e Jashtme me anë të një njoftimi për median.
Sipas MPJ-së, ditën e nesërme, datë 11 janar 2014, ora 11.00 në qytetin e Prizrenit do të mbahet mbledhja e parë e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.
Pas ceremonisë së hapjes së mbledhjes nga dy Kryeministrat, Hashim Thaçi dhe Edi Rama do të vijohet me shqyrtimin e dokumentit për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, i cili do të nënshkruhet nga dy Kryeministrat.
Mbledhja do te vijojë me shqyrtimin e disa Marrëveshjeve ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, për bashkëpunimin në lehtësimin e tregtisë, në fushën e transportit dhe infrastrukturës, bashkë-financim të pajisjeve mjekësore të maternitetit të Preshevës, si dhe jetësimin e bashkëpunimit në rrafshin konsullor ndërmjet dy vendeve tona.
Mes dy qeverive do të bisedohet për avancimin e agjendave integruese të dy vendeve, themelimin e Komisionit të Përbashkët Teknik për përkthimin e legjislacionit të BE-së, si dhe bashkëpunimin në sferën e përafrimit të legjislacionit.
Në mbledhje do të shqyrtohen dhe projekt-ide për bashkëpunim në fushat e Kulturës, Sigurisë, Energjisë dhe përmirësimit të standardeve te jetesës së shqiptarëve në rajon.