Maqedonia nuk rrezikohet nga rikthimi i vizave

2015-08-21 0

Maqedonia nuk rrezikohet nga rikthimi i regjimit të vizave, pavarësisht mekanizmit të miratuar nga BE-ja në fillim të vitit. Zv/kryeministri Fatmir Besimi siguroi se qeveria ka marrë masa për parandalimin e vënies në funksion të këtij mekanizmi nga ndonjë shtet i Bashkimit Evropian. Madje, edhe në rast të paraqitjes së fluksi të ri të emigrantëve, Besimi shpjegon se vendit i lihet hapësirë për një kohë të caktuar për të zgjidhur situatën. Sipas rregullores së BE-së, mekanizmi vendoset individualisht nga ato shtetet të BE-së që mund të preken nga fluksi i emigrantëve ose azil-kërkuesve, dhe jo në rang unioni.

"Nëse vende të caktuara kanë sfida të tilla ato mund të vendosin viza në aspekt bilateral, paraprakisht duke paralajmëruar vendin përkatës që të ndërmarrë masa konkrete. Prandaj kjo, si mundësi dhe mekanizëm është risi në BE, por ka mekanizma të cilat i paraprijnë këtij procesi deri sa një vend të marrë një vendim të tillë. Kjo vlen edhe për Maqedoninë, sidomos me vendet ku në të kaluarën ka pasur fluks më të madh emigrantësh, mirëpo Maqedonia i ndërmerr të gjitha masat me qëllim që në mënyrë preventive të reagojë të mos ketë situata të tilla bilaterale me cilin do vend të BE-së", tha Zv/kryeministri për çështje evropiane Fatmir Besimi.

Këto komente zv/kryeministri Besimi i bëri pas takimit me Ministrin e Vetëqeverisjes Lokale Tahir Hani.

Shfrytëzimi i fondeve evropiane si dhe nxitja e projekteve të reja sidomos në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar me Kosovën ishte në qendër të takimit të sotëm të dy titullarëve shqiptarë.

"Ministria e pushtetit lokal si institucion që menaxhon komponentin e dytë, bashkëpunimin ndërkufitar, është një nga institucionet që maksimalisht ka shfrytëzuar fondet. Nga 30 milion euro që janë paraparë në komponentin e dytë, ka realizuar 19 milion euro ndërsa me projektet e kontraktuara përpiqemi që të arrijmë deri në 24 milion euro të shfrytëzuara", deklaroi Tahir Hani, Ministër i Vetëqeverisjes Lokale.

Sipas Besimit dhe Hanit, deri tani vendi ka shfrytëzuar vetëm 65 % të fondeve të këtij komponenti, dhe në shumicën e rasteve, ato janë realizuar me Greqinë. Ndërkaq, në kuadër të të gjitha komponentëve të BE-së, vendi ka shfrytëzuar 46 % të fondeve. Semra Jakupi

Free Traffic Exchange