SHKODËR - "Krijimi i partneritetit efikas në mes Policisë dhe Komunitetit Rom dhe Egjiptjan" ka qënë tema e takimit të zhvilluar në drejtorinë e policisë së Qarkut Shkodër ku i pranishëm ka qenë edhe drejtori i policisë së këtij qarku Shaban Nexhi. Në fjalën e tij përpara të pranishmëve Nexhi i ka bërë thirrje të rinjve të këtyre komuniteteve që të arsimohen e më pas të bëhën pjesë e strukturave të policisë në mënyrë që të jenë sa më pranë nevojave që kanë romët dhe egjiptianët.
"Nga kjo shtresë, e cila komuniteti i romëve dhe egjiptianëve në qytetin e Shkodrës të shkojnë në shkollë dhe sapo të mbarojnë arsimin e mesëm e të detyrueshëm, të vijnë dhe të konkurrojnë si të gjithë shtetasit e tjerë për të punuar në rradhët tona.
Kështu që, jeni të ftuar në mënyrën më të pastër dhe më të thjeshtë të vini pjesë e shërbimeve tona pastaj edhe juve të punoni më mirë për komunitetin tuaj", tha drejtori i Policisë së Shkodrës, Shaban Nexhi.
Ky aktivitet ka ardhur në kuadër të policimit në komunitet. Në këtë takim, të pranishëm kanë qenë edhe përfaqësues të komuniteteve rom dhe egjiptian si dhe forcat e policisë.