Vetëm dy kilometra larg Haraçinës ku u fotografuan sot zyrtarët qeveritarë, ata lokal dhe deputetët, në rrugën drejt fshatrave të rrethit të Kumanovës kundërmon nga mbeturinat. Kjo deponi që shtrihet përgjatë rrugës e cila çon drejt qendrës përkujtimore të ish ushtarëve të UÇK-së, që prej kohësh përbën rrezik për përhapjen e sëmundjeve dhe epidemive të ndryshme. Rrezikun e tillë e shtojnë edhe më tepër qentë endacakë të cilët bartin mbeturinat rreth e rrotull. Pikërisht për këtë Ministria e Ambientit Jetësor ka porositur komunat që deponitë e tilla të rrethohen dhe izolohen nga qasja e njerëzve dhe kafshëve.
"Ne kemi kërkuar nga komunat që të bëjnë rrethimin e deponive aktuale edhe pse nuk i plotësojnë standardet, dhe në njëfarë mënyre të krijojnë kushtet që të mos lejojnë qasjen edhe të njerëzve edhe të kafshëve në ato deponi, sepse ajo shndërrohet edhe në përcjellje të sëmundjeve të ndryshme", tha Abdilaqim Ademi, Ministër i Ambientit Jetësor.
Pamjet e televizionit Alsat tregojnë qartë se rekomandimet e Qeverisë deri tani nuk janë realizuar nga Komuna e Haraçinës. Por kryetari i kësaj komuna Brahim Ajvazi theksoi se megjithatë janë marrë masa ndërsa për pamjet e tilla të pahijshme ai fajëson edhe kalimtarët përfshirë edhe ata të Kumanovës.
"Kemi marrë disa masa, ne kemi marrë një punëtor si roje e deponisë, ndërsa tash është në vijim që të thuret ajo nga ana e Komunës, dhe të ketë më tepër kontroll, të mos ndizen ato mbeturina, mos të hedhen, sepse ajo është rrugë rajonale dhe çdokush mund të hedh prej qytetit, edhe prej Kumanovës ka pas raste që kanë hedhur ndonjë mbeturinë", deklaroi Brahim Ajazi, Kryetar i Komunës së Haraçinës.
Deponia e egër në dalje të Haraçinës mbledh rreth vetes edhe dhjetëra qen. Ata përveç që shpërndajnë mbeturinat përgjatë rrugës, shpesh shqetësojnë edhe kalimtarët duke iu vërsulur veturave. Pasojat e kësaj deponia vërehen sidomos verës, kur i nxehti rrit më tepër kundërmimin, por edhe shton rrezikun për sëmundjet. Benjamin Arifi