A1 Report - Lezhe, riparimi i rezervuarit te Perlatit shmang permbytjen e tokave

2015-08-21 1

LEZHË - E konsideruar si një problem gjatë periudhës së rreshjeve, diga e rezervuarit të Perlatit në rrethin e Mirditës po i nënshtrohet një ndërhyrjeje që pritet të shmangë përmbytjet, por ndërkohë do t'u vijë në ndihmë banorëve për vaditjen e tokave. Me fondet e emergjencës të qeverisë shqiptare, bordi i kullimit ne Lezhë ka nisur ndërhyrjen në këtë vepër, për ta bërë më të sigurt dhe më efektive për tokat e fshatit Perlat. Drejtori i bordit të kullimit në Lezhë, Petrit Gjoni ka bërë të ditur se shmangia e problemeve të përmbytjeve mbetet një angazhim në këtë periudhë, për parandalimin e përmbytjeve të tokave bujqësore.

"Bordi i kullimit të Lezhës bën të mundur riparimin e digës së këtij rezervuari, njëkohësisht edhe të shkarkuesit që bën të mundur parandalimin e problemeve që mund të ketë me përmbytjen kjo zonë dhe njëkohësisht bën të mundur që në kohën e verës të bëhet vaditja e tokave bujqësore të këtyre banorëve", deklaroi Petrit Gjoni, drejtor i Bordit të Kullimit të Lezhës.

Diga e rezervuarit të Perlatit krijoi panik 1 vit më parë tek banorët e zonës për shkak se rrezikoi dëmtimin, gjë e cila do të sillte permbytje të tokave dhe shtëpive.