ATHINE- Në një kohë kur Greqia është në vështirësi ekonomike, marrja e presidencës së Bashkimit Europian do ta ndihmojë atë të dalë nga recesioni. Në ceremoninë zyrtare të marrjes së presidencës së BE-së, të zhvilluar në Athinë, Presidenti i Komisionit Europian, Hose Manuel Barroso, konfirmoi këtë fakt duke deklaruar se Greqia ka bërë progres dhe ka sjellë besimin tek vendet e tjera duke tërhequr investues të huaj.
"Greqia do të dalë nga recesioni këtë vit. Po përballemi me rimëkëmbjen ekonomike, në një kohë që papunësia qëndron në një nivel të pranueshëm. Situata është ende e brishtë, por duhet të përdorim vendosmërinë greke për të pranuar paketën fiskale, të miratojmë reformat e taksave dhe administratës publike. Ky është viti i parë i buxhetit europian që i hap rrugën investimeve".
Sipas Barrosos, kjo presidencë tregon se parashikimet ishin të gabuara dhe Greqia u tregua e aftë për të bërë përpjekje të konsiderueshme, ndërsa e vlerësoi gjithashtu si një mundësi që Greqia moderne të tregojë se mund të japë një kontribut të rëndësishëm për Bashkimin Europian.
Ndërsa gjatë fjalës së tij Kryeministri grek, Antonis Samaras theksoi se Europa e Bashkuar do të jetë zgjidhje për problemet që kaloi vendi i tij.