KORÇË - Bashkim Latollari autori i masakrës së mbrëmjes së 7 janarit 2014 në fshatin Gjonomadh, gati 10 km larg Korçës ka dëshmuar në polici arsyen që e kishte nxitur.
Shkak ka qenë zbulimi i lidhjes jashtëmartesore që ai kishte pasur me Daniela Meçollarin, nga daja i bashkëshortit të Danielës, Rexhep Metellari. Ky i fundit sipas dëshmisë së 39-vjeçarit kishte ndërhyrë për të ndërprerë këtë lidhje.
"Ka qenë daja i Belimanit, Rexhep Metellari, i cili ka marrë vesh për lidhjen tonë, dhe ka ndërhyrë për të na ndarë. Unë e doja Danielën dhe doja të kisha një fëmijë me të" -- mësohet të ketë thënë në polici, gjatë marrjes në pyetje Bashkim Latollari.
Madje ai pretendon se djali i dytë i çiftit Meçollari, "aktualisht 4 vjeç është fryt i dashurisë së tij me Danielën".
Çifti Belimon dhe Daniela Meçollari kishin dy djem të mitur një 6 dhe tjetrin 4 vjeç.
Ndërkaq gjatë ditë së sotme janë përcjellë në banesën e fundit trupat e pajetë të katër viktimave.
Familjarët dhe të afërmit e viktimave të pikëlluar për këtë tragjedi jashtë kamerave bëjnë apel për vendosjen e drejtësisë në vend.
Policia ka marrë në mbrojtje familjarët e autorit të krimit, Bashkim Latollarit, për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme nga ana e familjarëve të viktimave. I ATI I BELIMAN MECOLLARIT: DUA DREJTESI, MI VRAU NE SY TE FEMIJEVE
Ndërkohë i ati i Belimanit i cili ka humbur djalin dhe nusen, dhe tashmë i duhet të rrisë dy të mitur jetimë kërkon drejtësi.
"Djalin ma vranë në sy të fëmijëve dhe unë dua drejtësi. Djali im nuk kishte asnjë konflikt me autorin dhe shkonte mirë me gruan e tij", ka thënë Neki Meçollari.
Ai thotë se fëmijët e mitur janë të tronditur psikologjikisht pasi kanë parë një njeri që ka qëlluar mbi prindërit e tyre.
"Policia kishte ardhur kishte bërë punën e saj, unë nuk pashë asgjë. Të merret masa. Konflikte nuk kanë patur,s'kemi patur konflikt. Se si është kjo punë ne nuk e dimë. Të merren masa më të rrepta. Më rëndë se kaq nuk ka më ku të vejë. Jemi të tronditur. Fëmijët janë te gjyshja, i kam në shtëpi tani që i lanë jetim. Ata janë llahtarisur, fëmijë janë, kur i kanë parë të tjerët që i kanë vrarë njëherë. Fëmijët ikën dhe i thanë një burri plak. Nuk kemi patur konflikte me autorin. As djali s'ka patur konflikt me ta. Kjo është gjë e papritur. Kërkojmë dënimin e autorit"- vazhdon më tej ai.
VRASJA MBREMJEN E 7 JANARIT 2014
Sipas policisë Bashkim Latollari ka vrarë me armë zjarri tip pushkë fillimisht Beliman dhe Daniela Meçollarin dhe më pas ka shkuar në banesën e dajës së Belimanit, Rexhep Metellarit duke e ekzekutuar këtë të fundit dhe bashkëshorten e tij Valentina Metellari. Mësohet se vrasja e Beliman dhe Daniela Meçollarit ka ndodhur në sy të dy fëmijëve të mitur 4 dhe 6 vjeç. Banesat e dy viktimave kanë qenë në dy skaje të kundërta të fshatit. Mësohet se para vrasjes autori kishte konsumuar alkool në një lokal të fshatit Gjonomadh. Pas vrasjes ai është dorëzuar tek kryeplaku i fshatit.