A1 Report - Plagosja ne Suedi, kercenime mes familjeve Tafili e Pjetrushi

2015-08-21 16

PEQIN- Pas plagosjes së nipit në Suedi, Genci Tafili, reagon sërish nga burgu i Peqinit duke akuzuar Prel Pjetrushin, ndërsa në një lidhje telefonike për "A1 Report", Pjetrushi thotë se "nuk ka lidhje me ngjarjen". Genci, vëllai i Admir Tafilit është i dënuar 25 vite burg për vrasjen e ish-drejtorit të Policisë së Shkodrës, Arben Zylyftari, gjatë një operacioni policor në vitin 2000, në një ngjarje ky mbeti i vrarë dhe babai i tyre Bahri Tafili.

Reagimi i tij vjen nëpërmjet një mesazhi telefonik për "A1 Report" pas deklaratave në media të Prel Pjetrushit, ish-shefit të krimeve në Malësinë e Madhe, njëkohësisht hasmi i tij, i cili akuzon vëllezërit Tafili për vrasjen e ish kryepolicit të Shkodrës.

Genci Tafili përsërit kërcënimet ndaj Pjetrushit, ndërsa i thotë "të lexojë kanunin dhe të ketë kujdes".

"Prel Pjetrushi e ka vendin pas hekurave, ai është i dyshuari kryesor i vrasjes së kolonelit dhe babait tim. Ka gjithashtu edhe faturën direkte të tentativës për vrasje të një fëmijë 12 vjec, nipit tonë në Suedi. I kërkoj të lexojë kanunin, të ketë kujdes pasi do t'i dëgjohet kënga me çifteli, por edhe me dajre", shprehet Genci Tafili.

PLAGOSJA E 12-VJEÇARIT NË SUEDI, TAFILI: KUJDES KANUNIN, PJETRUSHI: JAM I SQARUAR
Tafili i është drejtuar sërish Pjetrushit, ku i kërkon atij të heqë dorë nga hakmarrja ndaj fëmijëve të familjes së tij,ndërsa kërkon edhe rihapjen e dosjes së vrasjes së kolonelit Zylyftari. Familja Tafili kanë akuzuar shpesh Pjetrushin edhe pse pretendimet e tyre janë konsideruar si alibi gjatë procesit gjyqësor.

Nga ana tjetër Prel Pjetrushi ka reaguar për "A1 Report" pas akuzave të përsëritura të Genci Tafilit duke u shprehur se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen e Suedisë.

Nipi 12-vjeçar i Genci dhe Admir Tafilit u plagos me tre plumba në prag të Vitit të Ri, në Boras të Suedisë, dhe familja Tafili akuzoi për këtë ngjarje Prel Pjetrushin, si akt hakmarrjeje ndaj tyre.

Përsa i përket edhe pretendimeve të tjera ai shprehet se "i ka sqaruar njëherë e mirë të gjitha këto". Në fakt, vëllai i Genci Tafilit, Admiri, në mars të vitit 2011 përfiton nga një leje e dhënë nga burgu për t'u arratisur dhe ekzekutuar dy vëllezërit e ish-shefit të krimeve, Nik dhe Gjovalin Pjetrushi.

Disa muaj më parë Admir Tafili u bë protagonist edhe i një arratisje tjetër, kjo e ndodhur në Burgun e Drenovës, por u arrestua brenda pak orësh nga forcat speciale RENEA.