A1 Report - Durres, burri e djali e rrahen e i prene floket rrefehet Vojsava

2015-08-21 13

DURRËS - Edhe pas 4 ditësh, Vojsava Arapi vijon të jetë e terrorizuar nga dhuna e burrit dhe sidomos djalit të saj, të cilët e akuzuan për pandërshmëri. Në një intervistë për "A1 Report", ajo tregon momentet e tmerrit që ka përjetuar në banesën e saj dhe mënyrën se si e dhunuan. Fillimisht, tregon gruaja, bashkëshorti dhe djali I saj donin ta therrnin por më pas janë mjaftur vetëm me prerjen e flokëve.

"Pasi ka ardhur djali filloi dhuna, deri sa ka qenë ardhur djali kemi vazhduar vetëm me fjalë. Thirri djalin biseduan, edhe djali besonte babain e vet, që ti nuk ke qenë në punë, trego me kë ke qenë. Djal - i thashë unë, - vërtetohen këto gjëra. Shkojmë tek puna, shkojmë edhe tek kisha, i thash unë, në 11 e 49 unë kam ardhur. Ti do të tregosh personin, më thanë mu. Do ta hedhin në furnelë, ta valojmë,- thanë ata. Edhe më thanë mu - do të therim. E unë u them - aman se skemi pse të më therni. Jo do të therim më thanë ata. Djali i vogël ulërinte. Pastaj morën thikën të më prenin flokët, thika nuk bëri, pastaj burri mori bikun, në fakt djali mi preu nga koka dhe mi hodhi në tavolinë. Po, më qëlloi djali, kurse burri më thoshte ta therim. Largohu ti i tha djali se do ta ther unë. Jo tha ai, do ta ther unë. Imagjino çfarë tmerri, unë nuk e di", u shpreh Vojsava.

Pasi ia prenë flokët, tregon Vojsava, ajo ka vrapuar për në polici për të denoncuar dhunën e burrit dhe të djalit të vet 17-vjeçar. "Dolën përjashta ata 5 minuta. I tha çfarë të bëjmë Elidon, dalim njëherë i tha ai. Pas 5 minutash u kthyen, u ulën këtu dhe më thanë mu mblidhi flokët, futi në një qese dhe hidhi jashtë".

"Ky ka qenë momenti i shpëtimit tim. I kam mbledh flokët, edhe bikun, i futa në një qese dhe kam ik me vrap atëherë. Kam ik dhe direkt në polici. Kishte ikur djali i vogël përpara se të ikja unë, se u fsheh ai pasi kishte frikë se e kapnin edhe atë", rrëfen 39-vjeçarja.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur ditën e diel, në Durrës. Bashkëshorti i saj e ofendoi se ajo ishte vonuar në punë 3 orë e për këtë arsye filloi zënka mmidis tyre, që u përkeqësua me mbërritjen e djalit të madh, 17-vjeçarit Elidon Gjergji.