A1 Report - Skema, si pagoi buxheti i Berishës firmat e Aleksandër Frangajt

2015-08-21 1

Tregu mediatik në Shqipëri konsiderohet i polarizuar, televizionet të ndara në linja politike dhe ato që janë pranë qeverisë së shpeshti marrin reklama nga buxheti i shtetit.
Të dhënat e mbledhura nga Balkan Insight prej Departamentit të Thesarit në Ministrinë e Financave tregojnë se nga qershori i vitit 2012 deri në fund të vitit 2013 janë shpenzuar nga buxheti i shtetit 110 milionë lekë ose 730 mijë euro në reklama televizive.
Ministria e Mbrojtjes ka qenë shpenzuesi më i madh në këtë linjë, në masën 82.2 milionë lekë ose ndryshe 584,000 euro. Thuajse i gjithë buxheti i reklamave publike shkon tek stacionet televizive dhe agjencitë në pronësi të Aleksandër Frangajt. Frangaj është pronari i Media 6, kompania mëmë e Tv Klan, një prej transmetuesve më të mëdhenj në vend, i lidhur më tej edhe me televizionin 24 orësh informativ, ABC News.

Nga ish-kritik i Berishës, Frangaj më pas krijoi marrëdhënie të afërta me kryeministrin Sali Berisha dhe Partinë Demokratike.
Katër fushata të mëdha reklamimi janë kryer nga Ministria e Mbrojtjes, në vlerën 584.000 euro dhe shkuan tek dy agjencitë e lidhura me Frangajn.
Të dhënat e thesarit tregojnë se në datën 6 qershor dhe në 14 qershor, gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare, Ministria e Mbrojtjes firmosi dy kontrata me Zoom Events, në vlerën 40 milionë lekë ose 284 mijë euro.

Të dhënat në regjistrin e biznesit tregojnë se drejtor i Zoom Events, krijuar në 30 janar 2013 është Eptan Lohja. Lohja është menaxheri i marketingut i televizionit Klan dhe gjithashtu ka një vend në bordin mbikëqyrës të televizioneve Tv Klan dhe ABC News.
E njëjta ministri dha dy kontrata tjera në shumën 42.7 milionë lekë ose ndryshe 300 mijë euro për Promo Sh.p.k, një agjenci reklamimi në pronësi të Eduart Frangajt, vëllai i Aleksandër Frangajt.
Të dhënat e Thesarit tregojnë se ministria shpërndau reklama përmes kontratave direkte dhe jo tenderit të hapur që është e parashikuar nga shërbimin e prokurimeve publike.

Free Traffic Exchange