TIRANË - Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur masën e sigurisë "arrest shtëpie", për gjykatësin e Pukës, Shtjefën Lleshi, ish-kryetar i gjykatës së këtij rrethi. Pas vendimit, Lleshi ka deklaruar se nuk do të largohet për t'iu shmangur hetimit.
Vendimi është marrë gjatë ditës së sotme nga gjyqtarja Zeqine Sollaku, e cila vendimin e saj e ka argumentuar me faktin se, Lleshi nuk përbën rrezik shoqëror dhe për këtë arsye nuk ka pse të qëndrojë në qeli.
Kërkesa për lënien në "arrest shtëpie" për Lleshin ishte bërë nga avokati i të pandehurit, Ardian Visha.
Por gjatë seancës prokurori Shkëlqim Kokona, ka kërkuar që Gjykata e Apelit të linte në fuqi masën e dhënë nga Gjykata e Shkallës së parë në Tiranë.
Pas dhënies së masës së sigurisë, ka folur edhe vetë gjyqtari Shtjefën Lleshi i cili ka deklaruar se, nuk do të largohet nga Shqipëria për t'iu shmangur hetimit dhe gjykimit. Në datën 27 dhjetor 2013, Gjykata e Apelit ka dhënë vendime për të arrestuarit e tjerë të skandalit të Pukës, duke lënë në burg 3 prej 6 të arrestuarve të skandalit të Pukës, mes tyre 1 prokuror, dy avokatë, kancelaren dhe sekretaren e Gjykatës së Pukës dhe një sekser.
Gjykatësja Zeqine Sollaku ka lënë në fuqi masën e sigurisë arrest me burg për Meliha Kukaj, ish-kancelare, Liljana Shkjau, ish-sekretare e Gjykatës së Pukës, Fariz Xhurxhi me funksion avokat ku këta persona u arrestuan pas skandalit të denoncuar në emisionin "Fiks fare".
Kukaj, Shkjau dhe Furrxhi u arrestuan mëngjesin e 8 dhjetorit, disa ditë pas skandalit të denoncuar në emisionin fiks fare, teksa merrnin rryshfet në këmbim të lirimit të disa disa të arrestuarve gjatë protestave për një kompani minerare në Kukës.
Ndaj të arrestuarve janë ngritur disa akuza, ndërsa këta të fundit nuk i pranojnë asnjë akuzë dhe deklarojnë se janë të pafajshëm.