A1 Report - Nis largimi i armeve kimike te Sirise, zhvendoset sasia e pare

2015-08-21 0

SIRI- Nis largimi i armëve kimike nga Siria. Kombet e Bashkuara kanë konfirmuar faktin se anija daneze me sasinë e parë të armëve kimike ka lënë tashmë portin sirian të Latakias.

Kjo lëvizje e parë, është konfirmuar nga Kombet e Bashkuara dhe heqja e këtyre armëve kimike të rrezikshme, është hapi i parë i një Marrëveshje me OKB-në, për eleminimin e arsenalit nga Siria, brenda mesit të vitit 2014-të.

Një tentativë e parë e mbledhjes së armëve, është ndërprerë, pasi funksionarët sirianë nuk arritën të sjellin substancat kimike në pikën e grumbullimit në Portin e Latakia-s.
Armët do të dërgohen në Itali, ku më pas do të karikohen në një anije amerikane, për t'u dërguar më pas në ujërat ndërkombëtare, ku edhe do të shkatërrohen në një serbator të krijuar pikërisht për këtë operacion, në bordin e një anije.

Lëvizja e armëve kimike nga Siria, u bë në kuadër të marrëveshjes mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë, si rrjedhojë e sulmeve me gaz sarin, 21 gushtin e vitit të kaluar në periferi të Damaskut.

Gjatë këtyre sulmeve, humbën jetën rreth 1400 persona dhe për këtë, Perëndimi akuzoi qeverinë siriane. Por në atë kohë, presidenti sirian Bashar Al-Assad mohoi përgjegjësinë e tij, duke akuzuar rebelët për një sulm të tillë.