Incidenti në Pazar, kontrolli i brendshëm ende pasiv

2015-08-21 0

Ende asnjë informatë nga Policia lidhur me të shtënat e pjesëtarëve të saj në Bit Pazar në fundvit, dhe operacionin e dështuar për grumbullimin e fishekzjarrëve. Nga Ministria nuk japin të dhëna nëse kontrolli i brendshëm do të nisë procedurë hetimi kundër pjesëtarit të Alfa-s që kishte shtënë në ajër në mes të turmës, dhe sipas dëshmitarëve pa paralajmërim. Sipas Rregullores për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale, vetë organi për kontroll të brendshëm është i obliguar që të ngrejë procedurë, në bazë të informatave të saja nga tereni. Gjithashtu, procedurë mund të kërkojë Ministri i Brendshëm. të punësuarit në Ministri ose polici. Por, në rregullore thuhet qartë se përveç aspektit vetë- rregullativ të policisë, qytetarët kanë po aq të drejtë të dorëzojnë ankesa dhe të ngrenë procedurë për hetimin e sjelljes së policisë në rast të shkeljeve të tyre gjatë ushtrimit të detyrës.

Në kuadër të kompetencave të saja, Sektori procedon në bazë:

-Të dhënave, informatave që i grumbullon vetë

-Me dorëzimin ose prezantimin e kërkesave nga të punësuarit në Ministri ose Polici

-Në bazë të parashtresave nga qytetarët që kanë të bëjnë me punë joprofesionale dhe joligjore të të punësuarve

-Me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme

Ministrja Jankullovska ditë më parë tha se nuk e di për çka bëhet fjalë.

"Nuk e kam të qartë për cilin incident po pyesni, megjithatë, për të gjitha incidentet që janë evidentuar tek ne, punohet deri në zbardhjen e tyre", tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme (02.01.2013).

Të drejtën e tyre për parashtrimin e ankesave ndaj punës së policisë nuk e shfrytëzojnë as qytetarët. Sipas ekspertit juridik Mersim Maksuti kjo ndodh për shkak të konceptimit të policisë si organ të dhunshëm, sidomos nga shqiptarët. Megjithatë ai inkurajon qytetarët që të denoncojnë shkeljet e mundshme të pjesëtarë të policisë.

"Për fat të keq në realitetin tonë dhe shoqërinë tonë ende është ajo psikoza se policia është organ i dhunshëm. Në fakt policia mbi të gjitha është në shërbim të qytetarëve dhe kjo duhet të luftohet në vetëdijen e qytetarëve te ne. Më së pari pari duhet të luftohet kjo bindje mbi policinë, e pastaj qytetarët të parashtrojnë të gjitha rastet", deklaroi Mersim Maksuti, ekspert juridik.

Për ekspertët është gjithashtu diskutuese edhe puna e kontrollit të brendshëm, e cila duhet të jetë e pavarur nga Ministria. Nuk ka ndonjë organ që kontrollon punën e kontrollit të brendshëm. Nga Ministria e Brendshme theksojnë se rregullimi i kontrollit të brendshëm është model austriak i cili funksionon edhe në shumë vende evropiane. Benjamin Arifi