Qytetet e mëdha industriale, Shkupi, Tetova dhe Kërçova vazhdojnë të mbeten nën nivel të lartë ndotjeje. Kryesimin e ndotjes e ruan Tetovë, ku grimcat PM10 janë 410 mikrogram për metër kub, 12 herë më shumë se sa niveli i lejuar, e dyta renditet Kërcova me 165 mikrogram për metër kub, ndërsa në Shkup, grimcat PM10 janë në nivelin mbi 100 mikrogram për metër kub. Aparaturat matëse të Ministrisë së Ambientit jetësor tregojnë se në Shkup ka shënuar rritje edhe përqendrimi i grimcave PM2.5, po aq helmuese sa edhe grimcat PM10. Ndërkohë sinoptikët parashikojnë mot të qetë me rritje temperaturash deri në 16 gradë për gjatë gjithë javës, ndërkohë që reshje pritet të mos ketë edhe për të paktën 2 javë.
"Gjatë ditës së nesërme nuk pritet ndonjë ndryshim moti. Do të mbajë mot me diell dhe me mjegulla më të rralla, kryesisht mot i qetë. Në lugina të caktuara do të paraqitet mjegull mëngjesi. Temperaturat e mëngjesit do të sillen prej -3 deri 4 gradë celsius kurse temperatura më e lartë ditore do të jetë prej 6 deri 14 gradë. Edhe gjatë ditëve të ardhshme, deri në fund të javës, rajoni ynë do të jetë nën ndikimin e një mase relativisht të thatë dhe të ngrohtë për këtë periudhë të vitit, kështu që temperaturat më të larta do të sillen prej 7 deri në 16 gradë", tha Lena Jovanovska, sinoptikane.
Nga Enti Hidrometeorologjik thonë se javën që vjen do të kemi ulje të dobët, e shoqëruar me ndonjë reshje lokale shiu ose dëbore.
"Rënie të temperaturave presim nga fillimi i javës së ardhshme. Ende është herët të thuhet por përafërsisht nga fillimi i javës së ardhshme pritet një ndryshim i konsiderueshëm temperaturash. Do të kemi shi lokal dhe borë nëpër male", theksoi Lena Jovanovska, sinoptikane.
Me datën 30 dhjetor, siç raportohet në faqen zyrtare, Ministria e Ambientit Jetësor ndërpreu masat për ruajtjen e cilësisë së ajrit, edhe pse ndotja mbetet në nivel të njëjtë. Ajri i tillë mund të shkaktojë sëmundje të rrugët frymore e madje deri edhe kancer. Ferikan ILjazi