Thaçi në Tiranë, takon Lulzim Bashën

2015-08-21 0

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi gjatë një qëndrimi në Tiranë u takua sot me kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha. Në këtë takim u diskutua mbi zhvillimet politike në Maqedoni dhe Shqipëri. Basha tha se autoritet në Shkup duhet në tërësi të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit si dhe të sigurojnë të drejta të plota për komunitetin shtet-formues shqiptar në Maqedoni, si parakusht për integrimin e rajonit në BE. Ndërkohë kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi tha se ky takim në Tiranë ishte kërkuar prej tij, duke e cilësuar si takim të dëshirave të mira dhe sukseseve të gjithë shqiptarëve.

"Kisha shumë dëshirë që z. Bashës ti urojë funksionin e ri, drejtues i Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe opozitës. Për popujt e civilizuar dhe shtetet e zhvilluara opozita është më e rëndësishme se pushteti pasi opozita mbanë në vete pushtetin moral, është një kontrollues i madh i qeverisjes për të mos ndodhur abuzimi. Biseduam për çështjet që kanë të bëjnë me shqiptarët në Maqedoni por realisht në të njëjtën kohë biseduam edhe për aspektet politike të Shqipërisë. Për shqiptarët e Maqedonisë është jashtëzakonisht e rëndësishme situata politike në Shqipëri pasi sa më tepër që të zhvillohet një kohezion i fuqishëm dhe funksionalizim i institucioneve të shtetit, ne ndjehemi më mirë dhe më të fuqishëm", deklaroi Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

"Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një përkrahëse e vendosur dhe e fuqishme e avancimit të të drejtave të komunitetit shtet-formues të shqiptarëve të Maqedonisë, duke kërkuar me vendosshmëri zbatimin pa vonesë dhe në mënyrë të plotë të të gjitha parashikimeve të Marrëveshjes së Ohrit dhe duke kërkuar emancipimin e gjithë shoqërisë në shtetin fqinjë, nëpërmjet respektimit të plotë të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni si rruga e sigurt e përparimit evropian dhe euro-atlantik të Maqedonisë", tha Lulzim Basha, kryetar i PD-së, Shqipëri. Alsat-M